Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar zyrtarisht se nipërit e Agron Kapllanajt kanë sulmuar agjentë të BKH-së dhe forca operacionale të Policisë së Shtetit në mbrëmjen e së martës, rreth orës 19:20, në aksin Fier–Patos. Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni hetimor të deleguar nga SPAK, në kuadër të një dosjeje për korrupsion dhe krim të organizuar.
Sipas njoftimit zyrtar, hetuesit e BKH-së dhe oficerët e policisë janë sulmuar papritur dhe pa asnjë shkak nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë në Fier.
SPAK thekson se të gjitha veprimet e BKH-së ishin tërësisht ligjore dhe të kryera nën vëzhgimin e prokurorëve të posaçëm. Për hetimin e ngjarjes është angazhuar Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier.
Në reagimin e saj, SPAK i bën thirrje qytetarëve të respektojnë punën e hetuesve dhe të bashkëpunojnë me institucionet ligjzbatuese. “Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në deklaratë.