Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin Halle (Saale) të Gjermanisë, ku një shtetas shqiptar nga Kosova ka sulmuar me thikë tre persona, përfshirë një fëmijë.
Sipas raportimeve të mediave kosovare, autori i dyshuar është një 46-vjeçar, i cili është arrestuar menjëherë nga policia gjermane pas sulmit.
Policia lokale njoftoi se të plagosurit janë një vajzë 11-vjeçare dhe dy burra. Fatmirësisht, vajza ka marrë plagë të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa të plagosurit e tjerë janë dërguar në spital për trajtim.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se sulmit i ka paraprirë një debat, i cili dyshohet se ka shpërthyer për shkak të zhurmës që po bënin fëmijët në zonë.
Hetimet janë ende në vijim dhe autoritetet po punojnë për të sqaruar plotësisht motivet e sulmit. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka nxitur reagime të forta në rrjetet sociale.







