FLASH :

Sulm kibernetik nga hakerat iranianë ndaj Bashkisë Tiranë – Ristani: Të dhënat janë të paprekura, po forcojmë sistemin

Bashkia e Tiranës është goditur nga një tjetër sulm kibernetik, i 15-ti brenda vetëm gjashtë muajve, sipas deklaratës së Kryetares së Komanduar, Anuela Ristani. Ajo e cilëson këtë incident si një nga sulmet më të sofistikuara të regjistruara deri më sot, duke theksuar rrezikun e shtuar që përballet infrastruktura digjitale e institucioneve publike.

Në një njoftim për mediat, Ristani siguroi qytetarët se të gjitha të dhënat janë të paprekura, ndërsa autoritetet janë duke punuar intensivisht për të forcuar mbrojtjen e sistemeve. “Ky është realiteti i ri me të cilin përballemi çdo ditë,” – u shpreh ajo, duke shtuar se sulmet janë të lidhura me grupe hakerash iranianë.

Ristani bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka rritur bashkëpunimin me ekspertë të fushës dhe po kalon në një fazë të re të përforcimit të sigurisë kibernetike, me qëllim mbrojtjen afatgjatë të informacionit publik dhe shërbimeve digjitale ndaj qytetarëve. Autoritetet janë në gatishmëri dhe po analizojnë gjurmët e lëna nga sulmi për identifikimin e plotë të burimit dhe metodave të përdorura.