FBI ka nisur hetimet pas një incidenti të rëndë në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, të cilin e ka cilësuar si një “sulm i qëllimshëm” ndaj zyrës së saj në Pittsburgh.
Rreth orës 02:40, një burrë që drejtonte një sedan të bardhë përplasi portën hyrëse të zyrës së FBI-së, më pas doli nga automjeti, mori një flamur amerikan nga sedilja e pasme dhe e hodhi mbi portën e dëmtuar. Autori, i identifikuar si Donald Henson nga Penn Hills, Pennsylvania, u largua me shpejtësi në këmbë dhe aktualisht është në kërkim.
FBI ka konfirmuar se asnjë punonjës nuk është lënduar, ndërsa një robot u përdor për të kontrolluar bagazhin e makinës së braktisur. Fillimisht, gjatë një konference për shtyp, agjenti i posaçëm Christopher Giordano e përshkroi ngjarjen si “akt terrori ndaj FBI-së”, por më pas një zëdhënës i FBI-së sqaroi për CNN se ngjarja nuk po trajtohet si terrorizëm.
Sipas autoriteteve, i njëjti person kishte shkuar disa javë më parë në zyrën e FBI-së për të bërë një “ankesë pa kuptim”, ku iu tha se nuk kishte asnjë shkelje federale për të cilën mund të ngrihej akuzë. Hetimet vazhdojnë, ndërsa agjencia po bën thirrje për informacion nga publiku.