FLASH :

Suedia refuzon ndihmën për Greta Thunberg pas kapjes së flotës nga Izraeli

Qeveria suedeze ka refuzuar t’i përgjigjet thirrjes së Greta Thunberg për ndihmë, pasi ajo dhe aktivistë të tjerë të bordit të anijes “Madleen” u ndaluan nga komandot izraelite gjatë rrugës drejt Gazës. Ministrja suedeze për Punët e Jashtme, Maria Malmer Stenergard, tha se nuk sheh nevojë për ndërhyrje konsullore në rastin e Thunberg, pavarësisht thirrjeve nga mbështetësit e saj për të ushtruar presion mbi qeverinë.

“Një përgjegjësi e madhe bie mbi ata që zgjedhin të udhëtojnë kundër këshillave zyrtare,” deklaroi Stenergard, ndërsa protestues u mblodhën në Stokholm duke kërkuar ndërhyrje diplomatike. Ajo u ankua gjithashtu se fluksi i telefonatave në linjat konsullore nga miqtë dhe të afërmit e Thunberg po pengonte ndihmën për qytetarë të tjerë suedezë që ndodhen realisht në nevojë jashtë vendit.

Ndërkohë, në Londër dhe kryeqytete të tjera të Evropës, qytetarë dhe aktivistë u mblodhën për të kërkuar reagim nga qeveritë përkatëse, pas ndalimit të anijes “Madleen” nga ushtria izraelite rreth 100 milje larg brigjeve të Gazës. Protestuesit në Londër mbanin pankarta ku shkruhej: “Izraeli sulmon anije britanike. Britania nuk bën asgjë.”

Koalicioni i Flotiljes së Lirisë (FFC), që organizoi lundrimin nga Italia për të sjellë ndihma humanitare, deklaroi se anija u ndoq nga skafe të shpejtë dhe drone, përpara se të sulmohej me një substancë të bardhë irrituese të paidentifikuar nga “quadcopters”. Aktivistja Yasmin Acar tha se substanca i dëmtoi sytë. Përfaqësues të koalicionit raportuan gjithashtu se komunikimet u bllokuan dhe në radio transmetoheshin zëra shqetësues.

Huwaida Arraf, bashkëthemeluese e Lëvizjes Ndërkombëtare të Solidaritetit, deklaroi për Al Jazeera se disa aktivistë përjetuan djegie në sy dhe nuk dihet ende përbërja kimike e substancës së përdorur.

Ministria izraelite e Mbrojtjes e konfirmoi ndalimin dhe deklaroi se bllokada detare është e nevojshme për të ndaluar hyrjen e armëve në Gaza. Ministri Israel Katz përgëzoi ushtrinë për ndërhyrjen “të shpejtë dhe të sigurt” dhe publikoi foto të aktivistëve me jelekë shpëtimi, duke u ofruar ujë dhe ushqim. Ai shtoi se aktivistëve do t’u shfaqet një video prej 43 minutash me pamje nga sulmet e Hamas më 7 tetor.

Ndërkohë, qeveria izraelite e quajti anijen “jahti i selfieve” dhe ironizoi “aktivistët e famshëm” që sipas saj po kërkojnë vëmendje. Izraeli tha se ndihmat – që përfshinin ushqim për bebe, produkte ushqimore dhe mjekësore – do të dorëzohen përmes “kanaleve të vërteta humanitare”.

Aktivistët, përfshirë Greta Thunberg, kanë akuzuar Izraelin për “rrëmbim në ujëra ndërkombëtare” dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar. Në një video të regjistruar paraprakisht, Thunberg deklaroi: “Nëse e shihni këtë video, ne jemi ndaluar dhe rrëmbyer në ujëra ndërkombëtare nga forcat izraelite.”

Avokatja dhe organizatorja Huwaida Arraf theksoi se Izraeli nuk ka autoritet të ndalojë vullnetarë ndërkombëtarë në një mision humanitar. Ajo shtoi se ndalimi i “Madleen” shkel urdhrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për leje të papenguar të ndihmave për në Gaza.

Reagimet ndërkombëtare kanë qenë të shumta. Raportuesja Speciale e OKB-së për Territoret e Pushtuara, Francesca Albanese, i bëri thirrje qeverisë britanike të sigurojë menjëherë lirimin e anijes dhe ekuipazhit. Ministri i Jashtëm francez, Jeal-Noel Barrot, kërkoi kthimin e gjashtë shtetasve francezë në shtëpi. Ndërkohë, Turqia e quajti ndërhyrjen një “sulm të urryer” dhe një shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, duke konfirmuar se mes aktivistëve kishte edhe shtetas turq.

Protestuesit e quajtën ndalimin “pirateri shtetërore” dhe e dënuan heshtjen e qeverive të vendeve përkatëse. Kritikët thonë se ky veprim shkel jo vetëm të drejtën ndërkombëtare detare, por edhe urdhrat e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me ndihmën humanitare në Gaza.

Ndërkohë, presioni ndërkombëtar mbi Izraelin po rritet për të lejuar më shumë ndihma në Gaza, ku OKB paralajmëron për rrezik të menjëhershëm urie masive në popullatë. Edhe pse është lejuar një rifillim i kufizuar i dërgesave humanitare përmes Fondacionit të ri Humanitar për Gazën (GHF), organizatat ndërkombëtare dhe vetë OKB refuzojnë të punojnë me këtë strukturë, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe neutralitetin e saj.

Sipas autoriteteve palestineze, dhjetëra persona janë vrarë pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave të lidhura me GHF që nga fundi i majit, përfshirë pesë civilë të vrarë nga zjarri izraelit pranë një qendre ndihmash ditën e diel.