FLASH :

StudimI: Dieta mesdhetare përmirëson shëndetin e mishrave të dhëmbëve

Dhëmbët dhe mishrat e dhëmbëve luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin e përgjithshëm të njeriut. Një studim i ri i publikuar në Journal of Periodontology ka zbuluar se ndjekja e dietës mesdhetare lidhet me një shëndet më të mirë të mishrave të dhëmbëve dhe me nivele më të ulëta inflamacioni.

Sëmundja periodontale është lidhur prej kohësh me probleme serioze shëndetësore, përfshirë sëmundjet e zemrës, diabetin, kancerin dhe komplikacione gjatë shtatzënisë. Studiuesit nga King’s College London vunë re se pjesëmarrësit që konsumonin më shumë mish të kuq kishin sëmundje më të rënda të mishrave të dhëmbëve dhe nivele të larta të proteinave inflamatore si Interleukina-6 (IL-6) dhe CRP. Ndërkohë, ata që ndiqnin një dietë të pasur me fruta, perime, bishtajore dhe vaj ulliri, kishin shënues më të ulët inflamacioni.

“Një dietë e ekuilibruar, e tipit mesdhetar, mund të zvogëlojë potencialisht sëmundjen e mishrave të dhëmbëve dhe inflamacionin sistemik,” tha studiuesi Giuseppe Mainas. Profesor Luigi Nibali shtoi se gjetjet e reja japin prova të rëndësishme mbi ndikimin e ushqimit në shëndetin oral, por theksoi se nevojiten kërkime të mëtejshme për qasje të personalizuara ndaj pacientëve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth një miliard njerëz në mbarë botën vuajnë nga sëmundjet e mishrave të dhëmbëve, të cilat shpesh lidhen me higjienën e dobët orale dhe duhanpirjen. Simptomat variojnë nga gjakderdhja dhe ënjtja e mishrave, deri tek dhimbjet, era e keqe e gojës dhe rënia e dhëmbëve në rastet më të rënda.

Ky studim shton edhe një përfitim tjetër në listën e gjatë të dietës mesdhetare, e cila tashmë njihet për mbrojtjen e zemrës, reduktimin e rrezikut nga disa lloje kanceri, përmirësimin e cilësisë së gjumit dhe shëndetit mendor.