Protestat në Serbi kanë marrë një tjetër dimension ndërkombëtar. Pas çiklistëve që mbërritën në Strasburg, tani një grup studentësh serbë kanë nisur një ultramaratonë politike drejt Brukselit.
Të premten (25 prill), 21 studentë u nisën nga Novi Sadi me qëllimin për të përshkuar pothuajse 2,000 kilometra përmes gjashtë vendeve evropiane, përfshirë Austrinë dhe Gjermaninë, brenda 18 ditësh. Ata synojnë të informojnë përfaqësuesit e Parlamentit Europian mbi situatën politike në vendin e tyre.
Një nga vrapuesit deklaroi në nisje se po vraponin “për një Serbi më të mirë dhe më demokratike”. Ata shoqërohen nga një automjet mbështetës gjatë rrugëtimit të tyre.

Në Serbi, prej disa muajsh zhvillohen protesta masive kundër qeverisë së Presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilat u intensifikuan pas aksidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit në Novi Sadi në nëntor 2024.
Vetëm një javë e gjysmë më parë, një tjetër grup prej 80 studentësh serbë, që udhëtuan me biçikleta nga Novi Sadi, arriti në Strasburg ku u takua me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës.
Atmosfera politike në Serbi mbetet e tensionuar. Studentët, që kanë organizuar protestat më të mëdha në historinë e vendit, akuzojnë qeverinë Vuçiç për korrupsion, shtypje të mediave dhe udhëheqje autoritare.







