Studentët në Serbi kanë njoftuar për një bllokadë të plotë të Beogradit dhe qyteteve të tjera të mëdha, duke nisur nga ora 6:00 e mëngjesit të sotëm, në shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar nga policia dhe arrestimeve të ditëve të fundit. Në një faqe të dedikuar për protestën, ata i bëjnë thirrje qytetarëve t’i bashkohen aksionit dhe udhëzojnë pjesëmarrësit të shmangin çdo formë dhune dhe të riorganizohen pa rezistencë në raste ndërhyrjeje policore.
Bllokadat po zhvillohen në dhjetëra pika njëkohësisht, duke sfiduar forcat e rendit dhe duke shkaktuar paralizë të trafikut urban. Ato vijnë pas përpjekjes së policisë për të hyrë me forcë në Fakultetin e Drejtësisë dhe pas incidenteve të dhunshme ndaj protestuesve. Studentët kërkojnë zgjedhje të reja të parakohshme dhe kanë marrë mbështetjen e të gjitha partive opozitare, të cilat kanë bojkotuar seancat parlamentare. Presidenti Aleksandar Vuçiç reagoi me tone të ashpra, duke e cilësuar protestën si të paligjshme dhe një përpjekje për destabilizim të vendit.