Kryeministri britanik Keir Starmer dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilluan sot rreth një orë bisedime në kopshtin e Downing Street. Pas takimit, ndryshe nga protokolli i zakonshëm, Starmer e shoqëroi Zelenskyn deri te makina e tij, duke u ndalur për një përqafim dhe shtrëngim duarsh. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk dha deklarata për mediat mbi ecurinë e bisedimeve.
Sipas analistëve, kjo heshtje është e qëllimshme dhe vjen në një moment kur qeveria britanike po përpiqet të ruajë unitetin me partnerët evropianë dhe të shmangë çdo shenjë përçarjeje me SHBA-në. Burime nga Downing Street theksojnë se objektivi kryesor i këtyre ditëve është që mesazhet e Europës dhe Ukrainës të mbërrijnë qartë tek Donald Trump, përpara takimit të tij të planifikuar me Vladimir Putinin nesër.







