Mbi 200 persona janë plagosur nga tërmeti i fuqishëm që goditi afër Stambollit, por raportimet flasin për dëme materiale të pakta. Megjithatë, shqetësimi i vërtetë qëndron tek ajo që mund të vijë më pas.

Tërmeti me magnitudë 6.2 ballë, i regjistruar në Detin Marmara rreth 60 kilometra në perëndim të Stambollit dhe në një thellësi prej 10 kilometrash, ishte më i fuqishmi në këtë rajon në më shumë se 25 vjet. Vetëm 13 minuta më pas u regjistrua një lëkundje tjetër me magnitudë 5.3 ballë, duke ndezur alarmet tek komuniteti shkencor.
Sipas Marco Bohnhoff nga Qendra Helmholtz për Gjeodezinë (GFZ), dy janë skenarët e mundshëm: ose rajoni është përkohësisht i qetësuar, ose shpërndarja e re e tensionit sizmik mund të nxisë një tërmet edhe më të fuqishëm. “Ne po i monitorojmë zhvillimet me shumë kujdes,” deklaroi ai.
Rajoni ku ndodhi tërmeti konsiderohet prej kohësh si një zonë me rrezik të lartë sizmik. Pllaka euroaziatike dhe ajo e Anadollit takohen pikërisht pranë Stambollit – një qytet me mbi një milion banorë që ndodhet pranë një sektori nën Detin Marmara, i cili nuk ka përjetuar një tërmet të madh në më shumë se 250 vjet. Ky fakt i ka bërë shkencëtarët të parashikojnë se një tërmet shkatërrues prej rreth 7 ballësh është vetëm çështje kohe.
Pas tërmetit të parë, u regjistruan mbi 120 pasgoditje në të gjithë rajonin, ndërsa lëkundjet u ndjenë edhe në Greqi dhe Bullgari, duke përforcuar frikën se kjo mund të jetë vetëm fillimi i një periudhe të re sizmike për Turqinë.