Fotot prapa skene nga martesa e Lauren Sanchez me Jeff Bezos kanë nisur të bëhen virale – por për arsyet e gabuara.
Nusja e buzëqeshur, 55 vjeç, u martua me themeluesin e Amazon-it, 61 vjeç, në Venecia të Italisë të premten, duke veshur një fustan me dantellë të markës Dolce & Gabbana.
Fustani ishte i stolisur me lule, me mëngë të gjata, bust të ngushtë, jakë të lartë, një bisht të gjatë dhe kopsa në pjesën e përparme.

Menjëherë pas ceremonisë, Lauren publikoi në Instagram foto nga dasma, duke filluar edhe një “rebrandim” të madh – ajo fshiu të gjitha postimet e vjetra dhe ndryshoi mbiemrin në profil, duke marrë mbiemrin e Bezos-it.
Të vetmet dy postime në profilin e saj aktual janë një foto e çiftit të sapomartuar dorë për dore, e shoqëruar me një mbishkrim me datën, si dhe një galeri me foto nga përgatitjet e dasmës.
Në njërën nga fotot, ish-gazetarja shfaqet brenda një salle luksoze duke pozuar me fustanin e saj dramatik. Një tjetër imazh bardhezi tregon Lauren teksa ndihmohet nga ekipi i saj për të veshur fustanin, ndërsa në një tjetër shihet stilisti Domenico Dolce duke vendosur vellon prej dantelle mbi kokën e saj. Ajo e përshkroi foton me fjalët: “Jo thjesht një fustan, por një poezi. Faleminderit @dolcegabbana për magjinë që krijuat.”

Por fatkeqësisht për Lauren, ndjekësit u fiksuan tek një detaj i vogël në sfond.
Në një nga fotot, shfaqen dy rrobaqepës të ateliesë së Dolce & Gabbana-s, të veshur me uniforma që u ngjanin atyre të shërbyeseve – përfshirë përparëse të bardha me detaje të zeza në jakë dhe rripa.
Të dy dukeshin të parehatshëm dhe qëndronin të ngrirë teksa shihnin Laurën që pozonte për kamerën.
Shprehja e tyre u bë shpejt temë diskutimi në rrjete sociale, ku përdoruesit kritikuan këtë si një tjetër shfaqje të shfrenuar të luksit dhe pasurisë. Një përdorues e shënoi çiftin në sfond me një shigjetë të madhe dhe shkroi: “Ajo e postoi këtë vetë. Zonjë, nëse ndonjëherë ka pasur një imazh që përmbledh këtë makth, është ky.”
“Duket sikur është marrë nga ‘Handmaid’s Tale’,” shkroi një tjetër, duke iu referuar romanit që përshkruan një shoqëri totalitare ku gratë trajtohen si pronë shtetërore. Një tjetër komentonte me ironi: “Pse po më radikalizon kjo foto?”

“Ky është kulmi i një distopie!” shkroi dikush tjetër.
Disa përdorues e përshkruan veshjen e atyre dy punonjësve si një “fetish i viteve ‘50”, pasi Lauren i kishte thënë Vogue-ut se ishte frymëzuar nga nusja Sophia Loren në filmin Houseboat të vitit 1958.
Por kjo nuk ishte hera e parë që çifti përballej me kritika gjatë javës së dasmës së tyre luksoze.
Rreth një duzinë organizatash veneciane – përfshirë grupe për strehimin, aktivistë kundër anijeve të mëdha turistike dhe organizata studentore – protestuan nën parullën “S’ka hapësirë për Bezos”, një lojë fjalësh që i referohet kompanisë së tij hapësinore Blue Origin dhe fluturimit të fundit në hapësirë të nuses.
Grupet e protestuesve përfshinin të majtë, ambientalistë dhe forume sociale. Një nga parullat lexonte: “Paraja nuk blen stil.” Një tjetër thoshte: “55 milionë dollarë për dasmën, vetëm për t’u divorcuar pas tre ditësh.”
Ndërkohë, Lauren dhe Jeff duken të painteresuar ndaj kritikave. Çifti u përball me gazetarë vendas teksa linin hotelin Aman – ku dhomat fillojnë nga mbi 1,000 dollarë nata – dhe një reporter e pyeti Bezos: “Çfarë mendoni për protestat, Jeff?”
Sanchez injoroi pyetjet, ndërsa Bezos, i cili ka një pasuri prej rreth 230 miliardë dollarësh, u përgjigj shkurt: “Ju dua, njerëz.” Madje, në fund u dha edhe një të puthur gazetarëve italianë.
Pak ditë më parë, Sanchez prezantoi edhe unazën e re të martesës – një diamant oval, me vlerë të përllogaritur rreth 4 milionë dollarë, që zëvendësoi unazën e fejesës prej 2.5 milionë dollarësh. Gurin e ri ia kishte përgatitur bizhutierja e famshme Lorraine Schwartz dhe besohet se peshon rreth 30 karatë.

“Ne nuk kemi shumë tradita që po ndjekim,” tha Sanchez për Vogue para ditës së dasmës. “E dua traditën, por kur je 55 vjeçe, gjërat janë pak ndryshe.”
Megjithatë, ajo pranoi se ruajti një traditë – të mos ia tregonte fustanin Jeff-it para ditës së dasmës. “Gati sa nuk u dorëzova,” tha ajo. “Ai më lutej ta shihte. Por doja të ishte surprizë. Kur je më i madh në moshë, nuk ka shumë gjëra që të surprizojnë. Nuk shoh dot orën kur të shoh fytyrën e tij.”
Për “diçka të huazuar”, ajo mbante një palë vathë. Ndërsa “diçka blu” kishte një domethënie më kozmike – një objekt të fshehtë nga udhëtimi i saj 11-minutësh në hapësirë. “Blue Origin,” tha ajo. “Është diçka nga fluturimi im hapësinor.”







