Nga Maksi Çami
I rënduar nga ankthi javët e fundit, nuk gjeta forcën të shkruaj përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës. Nuk munda t’i pranoj vetes të shkruaj me retorikën e zakonshme për përgjegjësinë e europes dhe njerëzimit për të ndaluar padrejtësinë në botë, ndërkohë që sot, para syve tanë, po ndodh një tjetër gjenocid dhe madje me mbështetje ushtarake e politike nga ai perëndim që deri dje krenohej se vinte paqe dhe drejtësi kudo me flatrat e veta të lirisë.
Në vitet ’90, që në fillim të luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë, ekzistonte Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), e cila mundësoi gjykimin e ideologëve dhe ekzekutorëve të krimeve kundër njerëzimit në nivelet më të larta politike e ushtarake. Kishte elementë të diskutueshëm në strukturën e saj ligjore, si marrëveshjet gjyqësore edhe për gjykimin e gjenocidit. Por pavarësisht kësaj, ICTY kreu një punë vendimtare në rindërtimin e së vërtetës historike mbi atë që ndodhi në luftërat e Jugosllavisë.
Përvoja e ICTY dha gjithashtu një shtysë të re për të drejtën penale ndërkombëtare. Nga ajo energji lindi në Romë Gjykata Penale Ndërkombëtare, institucioni që sot duhej të ishte duke gjykuar Putinin, Netanyahun, Almasrin dhe të gjithë ata që kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. E drejta ndërkombëtare, që historikisht ka shërbyer si instrument i fuqive të mëdha dhe kolonializmit perëndimor, po përpiqej të kthehej në një mjet të vlefshëm edhe për më të dobëtit në skenën ndërkombëtare njësoj siç funksionojnë, pjesërisht, të drejtat themelore në nivel shtetëror dhe në BE.
Sot, bindjet e dikurshme po i mban gjallë puna e jashtëzakonshme e Francesca Albanese, Raportueses Speciale të OKB-së për Territoret Palestineze, e cila në mënyrë skandaloze u godit me sanksione personale nga Shtetet e Bashkuara dhe Trump. Zhvillimet e juridiksionit universal, edhe pse të rralla, japin ende shpresë. Vetëm disa javë më parë, dy ushtarë izraelitë u arrestuan në Belgjikë për krime kundër njerëzimit në Gaza. Megjithatë, sot është e pamundur të mos ndihesh i shtypur nga fakti se janë vetë vendet perëndimore ato që po i zbrazin nga përmbajtja institucionet dhe rendin ndërkombëtar të ndërtuar me aq mundim pas Luftës së Dytë Botërore.