FLASH :

“Squid Game” mbyllet me sezonin e tretë: Kritikët e vlerësojnë, por publiku mbetet i ftohtë

Netflix dhe krijuesi i serialit, Hwang Dong-hyuk, kanë vendosur që “Squid Game” të përfundojë me sezonin e tretë, një lëvizje që ndoshta vjen në kohën e duhur. Edhe pse mbetet një nga sukseset më të mëdha të platformës, sezoni i fundit nuk ka pasur të njëjtin impakt tek audienca globale.

Pas debutimit të bujshëm në vitin 2021, seriali bëri histori si prodhimi origjinal më i ndjekur në Netflix. Sezoni i dytë dhe i tretë u xhiruan njëkohësisht, me synimin për të zgjeruar universin e zymtë dhe kritik të serialit. Megjithatë, sezoni i tretë, i publikuar së fundmi, është përballur me reagime të përziera.

Në platformën Rotten Tomatoes, sezoni ka marrë 82% nga kritikët, por vetëm 50% nga audienca. Kjo përbën rënien më të madhe të vlerësimit publik në krahasim me sezonet e mëparshme.

Kritikët, ndërkohë, vlerësojnë intensitetin dhe përshkallëzimin dramatik të historisë. Sipas Therese Lacson nga Collider: “Sezoni i tretë merr çfarë ka funksionuar dhe e çon në maksimum, madje e kalon atë.”

Megjithëse suksesi fillestar i “Squid Game” ishte organik dhe tronditës, përpjekja për ta mbajtur të freskët në një treg gjithnjë e më kërkues nuk ka funksionuar plotësisht me publikun. Ndoshta, mbyllja pas sezonit të tretë është pikërisht ajo që ky serial kishte nevojë për të ruajtur integritetin e tij artistik.