Sqarohet në detaje projekti i Ujësjellësit / Ja investimi 7 milionë euro që sjell më shumë ujë për Tragjasin, Dhërmiun e Palasën

Studimi tregon se burimi ka ujë me bollëk edhe në pikun e sezonit veror, ndërkohë që deri tani uji shkonte dëm

Kryeministri Edi Rama shprehu habinë e tij më të madhe për protestën e banorëve të fshatit Tragjas në Vlorë kundër ndërtimit të ujësjellësit ri, të cilët patën edhe përplasje me policinë një ditë më parë.

Ai sqaroi se ujësjellësi i ri parashikohet të ketë depon në Tragjas dhe përmes tubacioneve do kalojë në tunelin e Llogarasë. Ky investim me vlerë 7 milionë euro bëhet për të furnizuar me ujë të pijshëm zonën e bregut, Palasë, Drimadhes, Dhërmi.

Kryeministri Rama e ka cilësuar të pakuptimtë protestën. Rama tha se është bërë një studim i mirëfilltë dhe ky projekt nuk dëmton banorët e zonës dhe të gjithë do të jenë të lehtësuar.

Sa i takon protestës, Rama theksoi se në asnjë mënyrë nuk mund të bllokohen investimet, duke theksuar se ka muaj që po bëhen përpjekje për t’u sqaruar. Kreu i qeverisë theksoi se ky investim i shërben vetë zonës dhe se në fund të përfundimit të tij do jetë një e mirë për të gjithë banorët.

“Ky është një diskutim që ka në thelb një pikëpyetje shumë të madhe për mua, sesi ka mundësi të të bihet pre e një konfuzioni të tillë, sepse jam i bindur që mbrapa kësaj ka burime helmi që kanë derdhur sasira të caktuara në mendjen e Tragjasit. Por përtej këtyre, pyetja është shumë e thjeshtë; si është e mundur që të imagjinohet që një qeveri, të marri ujin që u duhet disave për t’ua dhënë disa të tjerëve. Nga ana tjetër jam përpjekur ta shpjegoj dhe rishpjegoj se ky projekt bazohet në studim hidrologjik. Janë bërë matje të vazhdueshme të prurjeve, analiza për të dalë në konkluzionin se sa prurje ka, sa nevojë ka mjedisi gjeologjik, sa duhet për konsum, sa prurje ikin në det etj” – tha Rama.

Mbi bazën e këtyre analizave dhe matjeve është bërë projekti, i cili synon që edhe vetë zona, banorët, shtëpitë, të cilat furnizohen me pikatore sepse sistemi i ujësjellësit atje është ndërtuar në vitet 60, ndërkohë që një pjesë tjetër e banorëve kanë bërë investime personale, për të marrë ujë me puse.

Prurja minimale e matur, dhe matjet janë bërë në periudha korrik, gusht shtator, 2021, 2022, ka edhe matje të 2018, kështu që prurjet mininale janë 700 litër në sekond.

Nga të gjithë shfrytëzimi, në maksimum, që do t’i bëhet këtij burimi për shkak të ujësjellësit, është dy herë më i vogël sesa prurja minimale. Në të gjitha rastet, ajo që mbetet e pashfrytëzuar nga sistemi i ujësjellësit, është mëse e mjaftueshme për mjedisin. Për ujin e pijshëm do të plotësohen nevojat. Kjo është çështje teknike, nuk shihet me sy, por me instrumente shkencore që mbëjnë matjet dhe me analiza progresive. Ky është një investim me vlerë 7 milionë euro i Agjencisë Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve që nis në zonën e Tragjasit, tek burimet e Izvorit dhe përfundon në Dhërmi. Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri kanë nisur në korrik 2024.