Socialdemokratët japin dritën jeshile për qeverinë e re të përbashkët me CDU/CSU
Anëtarët e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD) kanë miratuar me shumicë dërrmuese marrëveshjen e re të koalicionit me CDU/CSU, duke hapur rrugën për formimin e qeverisë së re federale të udhëhequr nga Friedrich Merz si kancelar.
Sipas rezultateve zyrtare, 84.6 për qind e anëtarëve të SPD-së votuan pro marrëveshjes me bllokun konservator CDU/CSU. Kjo marrëveshje i jep fund periudhës së pasigurisë pas zgjedhjeve federale, ku SPD pësoi humbje të ndjeshme, por do të përfaqësohet në qeveri me shtatë ministra.
Klingbeil zëvendëskancelar dhe ministër i Financave
Kryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, do të mbajë postin e zëvendëskancelarit dhe ministrit të Financave në kabinetin e ri. Presidiumi i partisë miratoi emërimin e tij në mënyrë unanime. Klingbeil pritet të udhëheqë ekipin qeveritar të SPD-së dhe të paraqesë deri të hënën listën e plotë të anëtarëve të kabinetit të koalicionit.
Ndërkohë, kancelari i ardhshëm Friedrich Merz nga CDU pritet të zgjidhet dhe të betohet në Bundestag të martën që vjen, duke zyrtarizuar kështu një kapitull të ri në politikën gjermane, me një koalicion që bashkon qendrën e majtë me të djathtën tradicionale.







