Një person u vra dhe 25 të tjerë u plagosën në një shpërthim në një bar në Madrid të shtunën, thanë shërbimet spanjolle të emergjencës.
“Përveç 25 të plagosurve, kemi edhe një person të vdekur”, thanë shërbimet e shpëtimit, pasi një burrë u gjet i vdekur këtë mëngjes në barin ku ndodhi shpërthimi, ndoshta për shkak të një rrjedhjeje gazi.
Viktima u gjet këtë mëngjes, “pas një hetimi të ri” të kryer në vendngjarje nga zjarrfikësit me ndihmën e qenve të policisë, siç i është theksuar në rrjetin social X.
Shpërthimi ndodhi dje pasdite, rreth orës 15:00 në lagjen Vallecas. Sipas gazetës El Pais, shpërthimi ndodhi në bodrumin e një ndërtese banimi që ndodhej pranë lokalit të mbushur me njerëz.
Dje, shërbimet spanjolle të shpëtimit kishin raportuar 25 të plagosur, nga të cilët tre ishin në gjendje të rëndë dhe dy në gjendje “ndoshta të rëndë”.
Sipas mediave spanjolle, shpërthimi ka të ngjarë të jetë për shkak të një rrjedhjeje gazi. Inmaculada Sant, një zyrtare e autoritetit bashkiak të Madridit përgjegjëse për sigurinë, theksoi megjithatë se “është shumë herët për të vendosur mbi shkaqet e mundshme” të aksidentit.