Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, konfirmoi edhe një herë mbështetjen e hapur të vendit të tij për popullin e Gazës, duke anuluar një kontratë të madhe blerjeje armatimi me kompani izraelite, në vlerë afro 700 milionë euro.
Sipas informacioneve nga Haaretz dhe AFP, kontrata ishte nënshkruar përmes një konsorciumi kompanish spanjolle dhe parashikonte blerjen e 12 sistemeve izraelite të hedhjes raketash.
Ky vendim i Spanjës vjen vetëm një javë pas shpalljes së një pakete masash nga qeveria spanjolle, që synojnë rritjen e presionit ndaj Izraelit.
Mes tyre përfshihen:zyrtarizimi i ndalimit të eksportit dhe importit të armatimit me Izraelin, ndalimi i përdorimit të porteve dhe hapësirës ajrore spanjolle për transport të karburanteve dhe armëve që mund të përdoren nga ushtria izraelite.
Më shumë se 100.000 protestues pro-Palestinë morën pjesë të dielën në një demonstratë gjatë garës së famshme çiklistike Vuelta a España në Madrid. Protesta, e cila përfshiu përplasje me forcat e rendit, solli 22 oficerë të plagosur dhe dy arrestime.
Sánchez, duke komentuar ngjarjet, shprehu “admirim të thellë” për protestuesit që, siç tha ai, “u shprehën në mënyrë paqësore për drejtësinë në Palestinë”.
“Diskutimi që nisi pas ngjarjeve të djeshme në Madrid duhet të përhapet në çdo cep të botës”, shtoi ai.
Kryeministri spanjoll ka denoncuar prej kohësh “standardet e dyfishta” të bashkësisë ndërkombëtare sa i përket luftërave në Ukrainë dhe në Gazë.
Në një fjalim në Parlament, Sánchez kërkoi përjashtimin e Izraelit nga garat ndërkombëtare muzikore dhe sportive, përfshirë Eurovision dhe kampionatet e sportit.
“Pse u përjashtua Rusia pas pushtimit të Ukrainës, ndërsa Izraelit i lejohet pjesëmarrja pas asaj që ndodh në Gaza?”, pyeti ai.
Sipas tij, “për sa kohë që vazhdon barbaria, Izraeli nuk mund të përdorë ngjarjet ndërkombëtare për të pastruar imazhin e tij”.
Sánchez theksoi se respekton sportistët dhe refuzon dhunën, por theksoi se: “Respektojmë gjithashtu shoqërinë spanjolle që reagon kundër padrejtësisë dhe mbron idealet e saj në mënyrë paqësore”.
Reagimi i ashpër i Izraelit ndaj Spanjës
Ministria e Jashtme e Izraelit reagoi ashpër ndaj qëndrimit të Spanjës. Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar akuzoi Sánchez-in dhe qeverinë e tij për “nxitje të turmave” dhe i quajti deklaratat e kryeministrit spanjoll “të turpshme”.
Ai shkoi edhe më tej, duke i cilësuar Sánchez-in dhe qeverinë e tij si: “Komunistë antisemitë dhe armiq të së vërtetës”.
Pas shpalljes së masave të Spanjës, Sa’ar i referohet “retorikës së egër dhe intolerante” të Sánchez-it, duke e lidhur atë me akuzat për korrupsion ndaj vetë kryeministrit dhe bashkëshortes së tij.
Javën e kaluar, Izraeli njoftoi se dy ministre spanjolle, Yolanda Díaz (Punës) dhe Sira Rego (Rinisë), nuk do të lejohen më të hyjnë në territorin izraelit, për shkak të qëndrimeve të tyre kundër ndërhyrjes së Izraelit në Gaza. Ministria e Jashtme izraelite i quajti deklaratat e tyre si “antisemite dhe anti-izraelite”.
Si përgjigje, ambasadori i Spanjës në Izrael u thirr nga autoritetet izraelite, ndërsa burime diplomatike në Madrid bënë të ditur se Spanja po shqyrton masat përballë “akuza të pabaza dhe masa të papranueshme ndaj dy ministreve të qeverisë sonë”.







