Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për çështjen e njohur si dosja CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe hetimin pasuror ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Burime zyrtare konfirmojnë se dosja është drejt finalizimit për t’u çuar në gjykatë.
Ish-çifti Meta-Kryemadhi, të cilët janë divorcuar pak kohë më parë, janë hetuar për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë. Kryemadhit pritet t’i komunikohen zyrtarisht akuzat në mesditë, ndërsa për ish-presidentin Ilir Meta, kjo pritet të ndodhë në orën 14:00.
Veç tyre, akuzat do t’u komunikohen edhe personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje, mes të cilëve Ema Çoku dhe Pirro Xhixho, i njohur si babai i Erisa Xhixhos, deputete e Partisë së Lirisë.
Brenda pak ditësh, dosja pritet të dërgohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në seancë paraprake do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim, apo do të pushohet.
Ky zhvillim shënon një moment kyç në hetimin më të rëndësishëm ndaj elitës së lartë politike të tranzicionit në Shqipëri.