Në hetimin e bujshëm ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Prokuroria e Posaçme ka bërë bashkëpunëtore të drejtësisë ish-financieren e Ajola Xoxës, Adela Kondakçiu. Ajo u mor zyrtarisht në mbrojtje si e penduar më 25 prill 2025, afro dy muaj pasi SPAK arrestoi Veliajn dhe kërkoi masa sigurie për 7 persona të tjerë. Kondakçiu ka punuar për Xoxën që prej vitit 2018, por është larguar pas pakënaqësive për pagat.
Sipas burimeve nga Report Tv, ajo u mor për herë të parë në pyetje më 10 dhjetor 2024, pas një kontrolli personal dhe sekuestrimi të celularit. Në dëshminë e saj, Kondakçiu ka pohuar se i është ushtruar presion nga ish-punëdhënësja dhe avokatë. Fillimisht e regjistruar si person nën hetim më 3 prill, ajo u mor në pyetje më 9 prill dhe pas 16 ditësh u bë e penduar e Prokurorisë. Deri tani nuk është konfirmuar nëse është trajtuar si e pandehur e më pas e favorizuar, apo është përjashtuar plotësisht nga përgjegjësia penale.
SPAK ka njoftuar përfundimin e hetimeve dhe ka caktuar 24 shtatorin si afat për dërgimin e çështjes në gjykatë. Në total janë 30 të pandehur: 14 individë dhe 16 kompani, mes të cilëve Ajola Xoxa, deputetja Klotilda Bushka, shtatë biznesmenë dhe një punonjës i burgjeve. Veliaj përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje të sendeve të ndaluara në burg.