SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një pjesë të dosjes së bujshme të koduar “Metamorfoza”, që goditi një prej grupeve kriminale më të rrezikshme të viteve të fundit në veri të vendit. Në qendër të hetimeve janë gjashtë persona të akuzuar për veprimtari të strukturuar kriminale, përfshirë sigurimin e kushteve për vrasje dhe trafikun e lëndëve narkotike.
Në pretencën e paraqitur në Gjykatën e Posaçme, SPAK ka kërkuar dënime të rënda për të pandehurit, të cilët kanë përfituar nga gjykimi i shkurtuar:
- Dedan Gjoni, ish-shef i Krimeve në një prej komisariateve të veriut, u kërkua të dënohet me 13 vite burg. Me gjykim të shkurtuar, përfundimisht për të u kërkuan 8 vite e 4 muaj. Ai dyshohet se ka përdorur funksionin për të lehtësuar veprimtarinë kriminale të grupit, duke dhënë mbështetje logjistike dhe informacion të brendshëm.
- Ismail Zeneli: 15 vite burg, përfundimisht 10 vite, akuzohet si një nga organizatorët e rrjetit të trafikut të drogës dhe sigurimit të kushteve për vrasjen e vëllezërve Nela.
- Bujar Gërmizi: 10 vite burg, përfundimisht 6 vite e 8 muaj, i përfshirë në transportin e lëndëve narkotike drejt Malit të Zi dhe më tej në tregjet europiane.
- Adrian Cenaj: 7 vite burg, përfundimisht 4 vite e 8 muaj, akuzohet për ndihmë logjistike dhe mbikëqyrje të pikave të grumbullimit të drogës.
- Besmir Murtati dhe Albert Prenga: të dy me kërkesë për 12 vite burg, përfundimisht 8 vite secili, për përfshirje aktive në transportin dhe shitjen e lëndëve narkotike, si dhe koordinim të urdhrave të dhëna për vrasje.
Të gjashtë të pandehurit dyshohet se kanë qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operonte në Shkodër dhe zonat përreth, duke përdorur rrjetin e tyre për të kryer vrasje me pagesë dhe për të trafikuar sasi të mëdha droge drejt vendeve të BE-së.
SPAK thotë se grupi kishte lidhje me figura të njohura të botës së krimit në veri dhe përdorte funksionarë lokalë për të siguruar mbrojtje dhe informacione sensitive që ndihmonin në shmangien e hetimeve. Procesi gjyqësor pritet të nisë në ditët në vijim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.