Shqipëria luan sot në mbrëmje ndeshjen e dytë të kualifikuesve të Botërorit 2026, ndaj Andorrës, e cila do të luhet në “Arenën Kombëtare”, në orën 20:45.
Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas ndeshjes. Në planin e masave të publikuara një ditë më parë blutë bëjnë me dije se prej orës 15:00 rrugët pranë stadiumit Arena Kombëtare do të bllokohen.
Rrugët që do të bllokohen:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”
Rruga “Papa Gjon Pali II”
Rruga “Dervish Hima”, pranë ambasadës së SHBA-së
Rruga “Asim Zeneli”, pranë ambasadës së SHBA-së
Rruga “Themistokli Germenji”
Rruga “Gjergj Filipi”
Rruga “ Lekë Dukagjini”, nga ish-Garda e Republikës deri te stadiumi
Rruga “Faik Konica”
Rruga “Skerdilajd Llagami”
“ Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’ju ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.
Në rast se gjendeni në situata paligjshmërie apo keni nevojë për ndihmë, telefononi në numrin pa pagesë 112″, njoftoi dje Policia e Shtetit.