FLASH :

Sot përpjekja e 39-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës – ngërçi politik vijon pavarësisht vendimit të Kushtetueses

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të 39-ën herë në përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, ndërsa partitë parlamentare vazhdojnë të mos arrijnë konsensus, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që obligon konstituimin brenda 30 ditësh.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë që seanca konstituive duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Por partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme për këtë aktgjykim, duke thelluar më tej bllokadën institucionale.

Një takim i zhvilluar të shtunën nga lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, me krerët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së përfundoi pa marrëveshje. Përfaqësuesit e këtyre partive e cilësuan takimin si farsë dhe e akuzuan Kurtin për mungesë vullneti për kompromis. Nga ana tjetër, Kurti deklaroi se VV-ja kishte ofruar dy opsione kompromisi – votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – por ishin refuzuar.

Kurti theksoi se ndonëse Vetëvendosje ka përgjegjësi për formimin e qeverisë si fituese e zgjedhjeve, konstituimi i Kuvendit është një detyrim kolektiv i të gjitha partive, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai akuzoi PDK-në dhe LDK-në për keqinterpretim të këtij vendimi.

Ndërkohë, mbi 50 organizata të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje partive politike që të zhbllokojnë urgjentisht Kuvendin, për të shmangur krizën institucionale dhe për t’i hapur rrugë funksionimit demokratik të institucioneve të reja.