Për të 19-ën herë radhazi, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot (21 maj), për të vazhduar përpjekjet për konstituimin e përbërjes së nëntë parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca pritet të nisë në orën 10:00.
Bllokimi institucional vazhdon, pasi në seancën e fundit, ligjvënësit refuzuan për të dhjetën herë rresht të formojnë komisionin për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Opozita pretendon se mënyra e propozuar nga LVV për votim të fshehtë është jokushtetuese, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të marrë masa të përkohshme për ndalimin e seancave, derisa të shqyrtohet kjo çështje.
Deri më tani janë miratuar vetëm dy pika të rendit të ditës:
- Verifikimi i mandateve të deputetëve
- Betimi i deputetëve
Ngërçi ka mbetur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit, për të cilën LVV ka propozuar Albulena Haxhiun. Mirëpo, kjo kandidaturë shihet si përçarëse nga PDK dhe AAK, të cilat kërkojnë një emër tjetër. Edhe LDK ka konfirmuar se nuk do të mbështesë asnjë kandidat të propozuar nga LVV për këtë post.
Kreu i Vetëvendosjes dhe kryeministër në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se kandidatura e Haxhiut nuk do të tërhiqet, duke e cilësuar si vendim të partisë. “Mos ta bëjmë këtë lojë negative. Duhet të respektojmë propozimet e njëri-tjetrit dhe të kemi një kryesi të bazuar në meritë”, theksoi Kurti.