Kombëtarja gati për Letoninë: Stërvitje zyrtare në Riga, Ajeti në dyshim – Silvinjo pritet të ndryshojë mesfushën dhe sulmin
Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e së hënës seancën zyrtare stërvitore në stadiumin “Skonto” të Rigës, në prag të sfidës së katërt të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026 ndaj Letonisë, që do të luhet sonte në orën 20:45.
Pas konferencës për shtyp ku trajneri Silvinjo dhe mesfushori Kristjan Asllani u shprehën të bindur për një paraqitje pozitive, kuqezinjtë zbritën në fushë për një stërvitje prej rreth një ore. Arlind Ajeti u stërvit veçmas për shkak të një shqetësimi muskulor në kofshën e majtë, dhe stafi mjekësor do të vendosë sot nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen.
Formacioni i mundshëm
- Portë: Thomas Strakosha konfirmohet si titullar pas paraqitjes shumë të mirë kundër Serbisë.
- Mbrojtje: Me mungesën e Gjimshitit dhe dyshimet për Ajetin, pritet që Kumbulla dhe Ismajli të formojnë dyshen në qendër. Në krahë, Mitaj majtas dhe Balliu djathtas pritet të jenë titullarë.
- Mesfushë: Asllani dhe Shehu do të jenë të pandryshuar në qendër, me një balotazh mes Qazim Laçit dhe Nedim Bajramit për pozicionin e tretë.
- Sulm: Në krahë Armando Broja pritet të nisë nga minuta e parë, ndërsa në qendër lufta është mes Manajt dhe Dakut. Në krahun tjetër, garë mes Hoxhës dhe Muçit, edhe pse ky i fundit nuk ka marrë minuta në dy ndeshjet e fundit.
Ndeshja me Letoninë pritet të jetë një test i rëndësishëm për kuqezinjtë, që synojnë fitoren për të ruajtur shanset për kualifikim në Botërorin 2026.
