Ceremonia kryesore e faljes në Tiranë u zhvillua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku morën pjesë besimtarë nga kryeqyteti dhe më gjerë.
Kurban Bajrami, i njohur ndryshe si Festa e Sakrificës, përkujton gatishmërinë e profetit Ibrahim për të flijuar të birin si shenjë bindjeje ndaj Zotit. Me këtë rast, shumë familje myslimane therin kurban zakonisht dele, dhi apo lopë dhe mishin e ndajnë me të afërmit, fqinjët dhe të varfrit, si shenjë solidariteti dhe bujarie.
Festa e Kurban Bajramit do të vijojë gjatë gjithë ditës me vizita familjare, urime, dhe ndarje të ushqimit me të afërmit dhe komunitetin, duke përforcuar vlerat shpirtërore dhe humane që kjo festë përcjell.
Forcimi në besim, familja, qetësi dhe paqe kudo në botë, ishin disa nga mesazhet e besimtarëve. Por ajo që bie më shumë në sy është mesazhi për luftën në Gaza.
“Na vjen shumë keq për myslimanët në Gaza, inshallah Allahu i mishëroftë. E keqja është se nuk reagon bota për ata. Lutemi për ta”, ishin disa nga mesazhet.
Festa e Kurban Bajramit është një nga festat më të rëndësishme për myslimanët. Ajo simbolizon sakrificën dhe bindjen ndaj Zotit, duke u bazuar në historinë e profetit Ibrahim, i cili ishte gati të flijonte djalin e tij për hir të zotit.
Gjatë kësaj dite besimtarët falin namazin e Bajramit në mëngjes dhe bëjnë kurban, zakonisht një dele, lopë apo dash. Mishi i kurbanit shpërndahet një pjesë për familjen, një për të afërmit dhe një për të varfrit. Festa është gjithashtu kohë për falje, vizita familjare dhe ndihmë ndaj njerëzve në nevojë.
