Padyshim sonte vëmendja më e madhe do të jetë në kryeqytet, i cili do të presë një nga përballjet më të zjarrta të futbollit shqiptar, derbin mes Partizanit dhe Tiranës.
Dy skuadrat do të përballen mes tyre në stadiumin “Arena Kombëtare”, duke nisur nga ora 20:00. Kjo sfidë do të jetë vendimtare për të dyja ekipet, me Tiranën që lufton për mbijetesë dhe Partizanin që synon të ruajë vendin e katërt.
Biletat prej disa ditësh kanë dalë në treg dhe shitja vazhdon normalisht ndërsa “Arena Kombëtare” do të jetë e mbushur në pothuajse gjysmën e kapacitetit, ku pritet të jenë të pranishëm diçka më shumë se 11 mijë tifozë.
Në këtë sfidë pritet që protagonistët kryesorë të jenë golashënuesit më të mirë të secilës skuadër. Për Tiranën, sulmuesi Walid Jarmouni ka realizuar 10 gola këtë sezon, ndërsa për Partizanin, Archange Bintsouka ka shënuar 6 herë.
Edhe pse me objektiva të kundërta nga njëra-tjetra, Tirana dhe Partizani, pritet të dhurojnë spektakël si në fushën e blertë ashtu edhe në tribuna.
Tirana – Partizani nuk është thjesht një ndeshje, por një traditë e madhe e futbollit shqiptar. Me atmosferën elektrizuese që pritet në stadium dhe rivalitetin historik mes dy klubeve, ky derbi do të jetë një mbrëmje për t’u shijuar nga të gjithë tifozët e futbollit.