Një pensionist britanik ka rrëfyer përvojën tronditëse kur qeveria vendosi të ndërtojë një rrugë 2 miliardë paundëshe që kalon përmes pronës së tij – dhe pas refuzimit për të shitur shtëpinë, autoritetet vendosën të shkatërrojnë kopshtin e tij të dashur.
75-vjeçari Mr Watkeys, një ish-mikrobiolog që jeton në Merthyr Tydfil në Uells, kishte marrë fillimisht garanci nga zyrtarët se shtëpia dhe toka e tij nuk do të prekej nga ndërtimi i rrugës A465 “Heads of the Valleys”. Por një ndryshim planesh nga qeveria uellsiane bëri që ai të humbasë një të tretën e kopshtit të tij – një vend ku për dekada rritej perime, shijonte jetën nën hijen e lisit 70-vjeçar dhe vëzhgonte natyrën me zogj dhe lakuriq nate.
Pavarësisht ofertës për blerje të detyrueshme të pronës, Watkeys refuzoi. Kjo e detyroi projektin që të anashkalojë shtëpinë, duke ndërtuar një mur të madh në fund të kopshtit. “Ishte stresi më i madh i jetës sime. Më ofruan që të shembnin garazhin dhe të merrnin gjithë hyrjen e shtëpisë si zonë pune – por i kundërshtova. Nuk e lë këtë shtëpi ku kanë vdekur prindërit dhe bashkëshortja ime,” tha ai.

Rruga 28 milje e gjatë u përurua të premten pas 23 vitesh punimesh dhe shpenzimesh kolosale. Por për njerëz si Watkeys, ajo është kthyer në “rrugën nga ferri”. “Kopshti im ishte vendi i qetësisë sime, aty ku mbillja domate, speca, fasule, e ku shikoja zogj e iriqë. Tani, nuk ka mbetur asgjë. Zhurma, buldozerët, ndotja – më kanë marrë gjithçka,” u shpreh ai.

Ai kujton se në vitin 2019, inxhinierët erdhën në shtëpinë e tij me çaj në dorë për t’i thënë se planet kishin ndryshuar. “Donin të më shembnin garazhin, dhe kur kuptuan që nuk pranova, vendosën të më merrnin një pjesë të kopshtit. Është një blerje e detyruar – s’mund të bësh asgjë. Kanë qenë vite të tmerrshme,” shtoi ai.
Watkeys ka marrë vetëm një kompensim të përkohshëm për dëmet, ndërsa ende pret një marrëveshje përfundimtare. Ndërkohë, Sekretari i Transportit në Uells, Ken Skates, falënderoi banorët për durimin dhe deklaroi se autoritetet po punojnë për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje.
Ndërkohë, qeveria është përpjekur të zbusë ndikimin mjedisor të projektit përmes mbjelljes së 285,000 pemëve dhe ndërtimit të mbi 70 strukturave, përfshirë ura dhe nyje të reja. Por për banorët si Mr Watkeys, asnjë pemë e re nuk mund të zëvendësojë lisin e dashur apo paqen e humbur të një kopshti që u rrafshua për hir të një rruge.








