FLASH :

Skema e pensioneve gjithnjë e më e ‘kripur’, vitin e ardhshëm do të marrë 2 mld € shpenzime! Rritet deficiti, kontributet s’mjaftojnë

Shpenzimet për skemën e pensioneve do të rriten edhe më shumë në 3 vitet e ardhshme, për këtë arsye do të shtohet edhe më shumë financimi nga buxheti i shtetit për të mbuluar deficitin. 2 miliardë euro do shpenzohen në vitin 2026 për pensionet, nga të cilat 38 milionë euro janë për bonusin e fundvitit.

Më shumë se 2 miliardë euro do të jetë fatura e pensioneve për vitin 2026. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka miratuar tavanet buxhetore për 3 vitet e ardhshme ku planifikohet rritje e shpenzimeve për këtë program.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ISSH, planifikohet që shpenzimet të rriten me 117 milionë euro në raport me këtë vit. Kjo kosto do të vijojë të rritet për të arritur në 2.2 miliardë euro në vitin 2028.

Paralelisht me rritjen e shpenzimeve për Sigurimet Shoqërore, do të rritet edhe financimi nga buxheti i shtetit për të mbuluar këtë skemë, përfshirë edhe deficitin. Report TV mëson se financimi nga buxheti i shtetit nga 408 milionë euro këtë vit do të rritet në 514 milionë euro vitin tjetër dhe deri në vitin 2028 financimi nga buxheti do të arrijë në 601 milionë euro.

Duke qenë se të ardhurat që mbledh ISSH nga kontributet nuk janë të mjaftueshme për të shlyer pensionet e 721 mijë qytetarëve, buxheti i shtetit është kthyer në ‘shpëtim’ për skemën deficitare të pensioneve.

Pritshmëritë janë që të ardhurat që do të mblidhen vitin tjetër do të mbulojnë vetëm 75% të shpenzimeve për pagesën e pensionistëve, nga 76% që është niveli i këtij viti. (Pra nëse shpenzimet do të jenë 100 lekë, të ardhurat do të jenë vetëm 75 lekë). Deri në vitin 2028 është parashikuar që të ardhurat të mbulojnë vetëm 73% të shpenzimeve.

Për të paguar pensionet e 100 qytetarëve sot kontribuojnë 117 punonjës. Ky nivel nuk është i mjaftueshëm për të shlyer pensionet dhe për këtë arsye prej 1 dekade, diferenca mbulohet nga buxheti i shtetit. Emigrimi, rënia e lindshmërisë, punësimi në të zezë dhe nëndeklarimi i pagave, po dëmtojnë skemën e pensioneve pasi mos deklarimi real ul vlerën e kontributeve që paguhen.

Sa i takon bonusit të pensionistëve, sipas dokumentit të siguruara nga Report TV, në buxhet është planifikuar shpenzim prej gati 190 milionë euro në tre vitet e ardhshme.

Edhe për vitet në vijim parashikohet dhënia e dy bonuseve e diferencuar në varësi të vlerës mujore që merr pensionisti. Kjo skemë do të ndiqet deri kur të jetë gati skema e re e pensioneve, e cila ende vijon të punohet dhe nuk është gati.