FLASH :

Skandali përsëritet: Teza e Anglishtes qarkullon në rrjete sociale vetëm 30 minuta pas nisjes së provimit!

Ashtu si çdo vit, skema e rrjedhjes së tezave të Maturës Shtetërore përsëritet. Vetëm 30 minuta pas nisjes së provimit të Gjuhës së Huaj këtë të martë, në rrjete sociale është publikuar varianti i tezës B të anglishtes.

Ky publikim vjen ndërsa provimi vijon dhe maturantët janë ende në bankat e shkollës, përballë një testi që supozohej të ishte sekret deri në përfundimin e orarit zyrtar në 12:30. Skandali vë sërish në pikëpyetje besueshmërinë e procesit dhe masat e marra nga institucionet arsimore për ruajtjen e konfidencialitetit.

Këtë të martë kanë nisur zyrtarisht provimet e Maturës Shtetërore, ku rreth 27 mijë maturantë po testohen për gjuhën e huaj. Provimi nisi në orën 10:00 dhe zgjat 2 orë e 30 minuta. Ai zhvillohet në rreth 145 qendra provimi, të mbikëqyrura nga përgjegjës të administrimit dhe administratorë të dedikuar për çdo klasë.

Janë angazhuar më shumë se 640 mësues për të korrigjuar testet, ndërsa Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se për maturantët me aftësi të veçanta janë përgatitur teste të personalizuara.

Megjithatë, rrjedhja e tezës së Anglishtes vetëm pak minuta pas nisjes së provimit rihap debatin mbi sigurinë e Maturës Shtetërore dhe integritetin e sistemit arsimor. Autoritetet ende nuk kanë dhënë asnjë reagim zyrtar.