FLASH :

Skandali i madh i Oxford Business College: Mashtrime me kredi studentore që i kushtojnë shtetit britanik miliona

Në “qytetin e kullave të ëndërrave”, ku ndodhen disa nga kolegjet më të njohura të Oksfordit, gjendet edhe Oxford Business College (OBC), që sipas promovimeve të veta, është vendi “ku ambicia takohet me mundësinë dhe arsimi udhëheq drejt suksesit”.

Megjithatë, realiteti është shumë larg pamjeve idilike që shfaqen në faqen zyrtare të kolegjit. Në vend të ndërtesave historike të mbushura me studentë, kampusi kryesor i OBC ndodhet në një ndërtesë të zakonshme mbi një zyrë postare, përballë një rruge me dyqane të shkatërruara dhe graffiti.

Një vizitë në këtë kampus zbulon një institucion thuajse të boshatisur. Një derë e zezë e mbyllur dhe një copë letre që njofton për “rikonstruksion” tregojnë shumë për “gjallërinë” e premtuar në reklama. Madje, edhe në kampusin e ri në King’s Mead House, atmosfera është po aq e zymtë.

Situata në OBC është në qendër të një skandali të madh financiar dhe politik në Britani. Vetë Sekretarja e Arsimit, Bridget Phillipson, njoftoi në Parlament këtë javë se 10,000 studentëve të këtij kolegji do t’u ndalohet marrja e kredive studentore, për shkak të “shqetësimeve serioze” mbi procesin e rekrutimit dhe ndjekjen e mësimeve.

Hetimet kanë zbuluar se OBC kishte regjistruar studentë me njohuri minimale të gjuhës angleze, shumë prej të cilëve nuk frekuentonin mësimet. Katër universitete që bashkëpunonin me OBC përmes programeve të franchising-ut tashmë kanë ndërprerë marrëdhëniet me këtë kolegj.

Skandali i përfshin mashtrime masive me kredi studentore: studentë që regjistroheshin për të marrë deri në £45,000 në vit në kredi dhe ndihma financiare, pa ndonjë qëllim real për të ndjekur studimet. Shumica e këtyre mashtrimeve, sipas raporteve, janë kryer nga shtetas të huaj me status të rregulluar pas Brexit, kryesisht nga Europa Lindore.

Një raport i “Sunday Times” zbuloi se vetëm në Oxford Business College janë identifikuar 270 raste mashtrimi, duke i shkaktuar shtetit britanik një humbje prej të paktën 4 milionë paundësh gjatë dy viteve të fundit. Një hetim më i gjerë ka evidentuar se fenomeni i mashtrimeve përfshin edhe 340 ofrues të tjerë privatë të arsimit të lartë.

Kolegji është pronë e Padmesh Gupta dhe stilistes së modës Titiksha Shah. Në pesë vitet e fundit, OBC është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, duke kaluar nga një xhiro prej £5 milionë në £50 milionë në vit. Fitimet e tyre, ndërkohë, janë rritur gjithashtu në mënyrë marramendëse.

Në përpjekje për të tërhequr studentë, OBC dhe agjentët e tij përdornin rrjetet sociale si TikTok dhe Facebook, duke ofruar laptopë falas dhe shpërblime deri në £250 për çdo student të ri të rekrutuar.

Sipas një hetimi të “New York Times”, shumë prej këtyre studentëve kishin njohuri minimale të gjuhës angleze dhe disa aplikacione për kredi ishin bërë nga të njëjtat IP adresa, përfshirë një që gjendej në ndërtesën e OBC dhe disa të tjera në Rumani.

Megjithëse Oxford Business College ka mohuar çdo akuzë për mashtrim dhe deklaron se praktikat e tij janë “të zakonshme në industri”, qeveria britanike ka nisur një proces për të ndërprerë aksesin e studentëve të këtij kolegji në kreditë e Student Loans Company, duke filluar nga shtatori i vitit 2025. OBC ka paralajmëruar se do të ndjekë rrugën ligjore për të kundërshtuar vendimin.

Megjithatë, ky rast mund të jetë vetëm maja e një ajsbergu shumë më të madh. Aktualisht, britanikët janë të ekspozuar ndaj një borxhi studentor prej £236 miliardë, një shumë që pritet të dyfishohet brenda 15 viteve të ardhshme.

Në qendër të këtij skandali: Oxford Business College, një simbol i shndërrimit të ëndrrave të arsimit në një industri fitimprurëse mashtrimi.