Kampionia olimpike në boks, Imane Khelif, ka publikuar një pamje të re surprizuese, teksa ka reflektuar mbi një fazë të vështirë të karrierës së saj, mes polemikave të ashpra për gjininë dhe mundësisë për t’i hequr medaljen e artë të fituar në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Khelif ishte në qendër të një stuhie mediatike dhe institucionale vitin e kaluar, pasi u shpall e kualifikuar për Olimpiadën, ndonëse më herët ishte përjashtuar nga Kampionati Botëror 2023, së bashku me boksieren nga Tajvani, Lin Yu-Ting, për shkak të testeve të diskutueshme të përcaktimit të gjinisë.
Pavarësisht përjashtimit nga Federata Ndërkombëtare e mëparshme e Boksit, të dyja boksieret fituan medalje ari në Paris, duke ngritur kritika të shumta ndaj Komitetit Olimpik dhe vendimeve të tij.
Në qershor, një raport i rrjedhur nga një test mjekësor i vitit 2023 pretendonte se analizat kromozomike e cilësonin Khelif si “biologjikisht mashkull” – një pretendim që ndezi thirrje për heqjen e medaljes. Por presidentja e re e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Kirsty Coventry, deklaroi qartë se nuk do të ketë veprim retrospektiv ndaj rezultatit dhe vendosi krijimin e një grupi pune për të “mbrojtur sportin e femrave”.
Pas këtyre zhvillimeve, Khelif nuk është rikthyer ende në ring dhe mungoi në garën e rikthimit në Eindhoven Box Cup, menjëherë pasi Federata e re “World Boxing” vendosi testim të detyrueshëm gjenetik për të gjithë boksierët mbi 18 vjeç.
Në një postim emocional në Instagram, në përvjetorin e fitores olimpike, Khelif tha:
“Sot po kaloj një fazë të vështirë, të mbushur me sfida, heshtje dhe pritje… Por ende besoj se çdo rënie është hyrje për një ngritje më të fortë. Jam Imane Khelif – kampione dje, e pathyeshme sot dhe e vendosur të rikthehem nesër.”
Pak ditë më parë, ajo u shfaq me një pamje krejt ndryshe në një foto me prezantuesen Nassima Djaffar Bey – me grim dhe flokë të lëshuar – pamje që u shpërnda me përshkrimin: “Gjithmonë një kënaqësi.”
Pavarësisht skandaleve dhe thirrjeve për përjashtim, Khelif ka shprehur synimin për të garuar në Olimpiadën “Los Angeles 2028”, ku do të ngjitet një kategori më lart në peshë. Të mbetet të shihet nëse rruga e saj drejt rikthimit do të jetë e lirë nga pengesat e politikës së sportit.