Një tjetër skandal është regjistruar në Durrës, ku Lungomarja është shndërruar në simbolin më të qartë të abuzimit me fondet publike dhe keq menaxhimit institucional.
Në vend që të shihej si një investim i qëndrueshëm për zhvillimin urban dhe turistik të qytetit, fakti që pedonalja po ribëhet për të tretën herë gjatë qeverisjes së “Rilindjes” është një pasqyrë për shpërdorim të fondeve publike, që mund të përbëjë vepër penale.
Ky projekt i përsëritur vjen pikërisht në prag të fushatës zgjedhore, një përpjekje e qartë për t’u hedhur hi syve qytetarëve.
Ndërkohë që qyteti përballet me mungesë infrastrukture thelbësore, fondet publike derdhen në një pedonale që ribëhet për të disatën herë.
Durrësi, një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit, në vend që të mirëpresë vizitorët me standarde siç iu është premtuar, shfaq një kartolinë të shëmtuar. Në vend të Shqipërisë bregdetare që premtohet në broshurat turistike, turistët përballen me pluhur, rrugë të hapura dhe zhurmën e punimeve.
Ky model, do vetëm t’ju bjerë në sy mediave dhe është kthyer në strategjinë e zakonshme të qeverisë. Ndërsa qytetarët kërkojnë ndihmë reale, investime serioze dhe shërbime funksionale, ata marrin si përgjigje një pedonale të re, të tretën në radhë.