SPAK ka dërguar për gjykim 29 persona, përfshirë pedagogë, zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe biznesmenë, të akuzuar për abuzim me 9 tendera në vlerë prej 900 mijë eurosh gjatë vitit 2022. Hetimet zbuluan një skemë të mirëorganizuar ku tenderët paracaktoheshin dhe vlerat fryheshin përmes ofertave fiktive dhe bashkëpunimit të paligjshëm mes stafit akademik dhe operatorëve ekonomikë.
Në listën e të pandehurve janë 2 zëvendësrektorë, administratori i universitetit dhe anëtarë të komisioneve të prokurimit, të cilët dyshohet se manipulonin dokumentacionin në koordinim me firmat “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”. SPAK njofton se janë përdorur përgjime, vëzhgime dhe analiza të dokumenteve për të zbuluar manipulimin sistematik të prokurimeve. Disa nga të dyshuarit janë lënë në arrest me burg, të tjerë në arrest shtëpie apo me detyrim paraqitjeje.