FLASH :

Para, seks dhe një murg budist: Kreu i Tempullit të famshëm Shaolin në Kinë nën hetim

Hong Kong – Tempulli legjendar Shaolin në Kinë është përfshirë nga një tjetër valë skandalesh, pasi njoftoi se abati i tij, Shi Yongxin – i njohur gjerësisht si “murgu CEO” për mënyrën sesi e ktheu tempullin në një perandori biznesi – është vënë nën hetim për vepra penale që përfshijnë përvetësim fondesh dhe marrëdhënie të ndaluara me gra.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar të dielën, autoritetet e tempullit thanë se Shi, 59 vjeç, dyshohet për keqpërdorim të fondeve të projekteve dhe pronave të tempullit, si dhe për shkelje të rënda të rregullave budiste, përfshirë marrëdhënie të fshehta me disa gra dhe lindjen e të paktën një fëmije. Në traditën budiste kineze, murgjit pritet të respektojnë celibatin.

Sipas deklaratës, Shi po hetohet nga disa agjenci shtetërore dhe më shumë informacione do të bëhen publike në vijim. Këto akuza risjellin në vëmendje zërat e viteve të kaluara për sjellje të papërshtatshme të abatit, i cili prej vitesh është kritikuar për komercializimin e spiritualitetit të tempullit Shaolin.

Tempulli Shaolin, themeluar mbi 1.500 vjet më parë në malet e pyllëzuara të Kinës qendrore, është një ikonë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore kineze, i njohur botërisht për përhapjen e Zen Budizmit dhe arteve marciale Shaolin kung fu. Por tani, nën hijen e një hetimi penal, figura më e famshme e këtij institucioni – abati Shi Yongxin – po përballet me akuza të rënda që rrezikojnë të njollosin emrin e këtij tempulli legjendar.

Që nga emërimi si abat në vitin 1999, Shi ka qenë një figurë mediatike që e ka modernizuar dhe komercializuar tempullin, duke e kthyer atë në një destinacion turistik dhe një markë globale. Me një diplomë MBA, një iPhone gjithmonë në dorë dhe marrëdhënie të ngushta me liderë botërorë si mbretëresha Elizabeth II, Nelson Mandela, Henry Kissinger dhe Tim Cook, ai përfaqësonte ndërthurjen e traditës me biznesin modern. Vetëm në shkurt të këtij viti, ai kryesoi një delegacion murgesh në Vatikan për të takuar Papa Françeskun.

Megjithatë, ky profil i lartë nuk e ka shpëtuar nga akuzat e reja për përvetësim fondesh dhe shkelje të rënda të normave budiste, përfshirë lidhje intime të ndaluara dhe atësinë e një fëmije. Skandali mund të shënojë fundin e një epoke për figurën më të famshme të budizmit kinez dhe për imazhin ndërkombëtar të vetë tempullit Shaolin.

Megjithëse gëzonte një profil ndërkombëtar si ambasador i Budizmit dhe kulturës kineze, Shi Yongxin është përballur prej vitesh me kritika të forta për jetën e tij luksoze dhe stilin e menaxhimit të tempullit Shaolin si një korporatë moderne.

Një nga rastet më të përfolura ndodhi në vitin 2006, kur abati pranoi një makinë luksoze prej 1 milion juanësh (rreth 140 mijë dollarë amerikanë) si “shpërblim” nga qeveria lokale për promovimin e turizmit. Dhurata shkaktoi zemërim të madh publik, duke ngritur pikëpyetje mbi modestinë dhe etikën e një murgut budist.

I pyetur nga media shtetërore për polemikat, Shi u përgjigj pa ndrojtje: “Edhe murgjit janë qytetarë. Ne kemi përmbushur detyrimet tona dhe kemi dhënë kontribut për shoqërinë, prandaj është e drejtë të shpërblehemi.” Kjo deklaratë u pa nga shumë si një simbol i largimit të tij nga përulësia që predikon budizmi, dhe sot, me akuzat për përvetësim fondesh e lidhje të ndaluara, fjalët e tij risjellin një profil kontradiktor mes besimit dhe biznesit.

Fokusi i abatit Shi Yongxin për ta kthyer tempullin Shaolin në një markë ndërkombëtare me fitime milionëshe ka ndezur kritika të ashpra, sidomos nga ndjekësit tradicionalë që e shohin këtë komercializim të tepruar si një rrënim të integritetit shpirtëror të institucionit fetar.

Nën drejtimin e tij, Shaolini u kthye në një fenomen global: u organizuan shfaqje ndërkombëtare të kung fu-së Shaolin, emri i tempullit u huazua për filma vizatimorë, videolojëra dhe produkte mediatike, ndërsa ndërkohë u ngrit një perandori e tërë biznesi që përfshin botime, mjekësi tradicionale kineze, zhvillim turistik dhe pasuri të paluajtshme.

Për shumë budistë dhe intelektualë fetarë në Kinë, ky transformim përfaqëson një largim dramatik nga vlerat e thjeshtësisë, përulësisë dhe qetësisë që predikon Zen Budizmi, duke shndërruar tempullin më të njohur të vendit në një simbol të kontradiktës mes fesë dhe fitimit.

Nga ana e tij, Shi Yongxin ka mbrojtur me këmbëngulje përpjekjet për të komercializuar markën Shaolin dhe për ta promovuar në mbarë botën. Ai ka argumentuar se modernizimi dhe zgjerimi ndërkombëtar i tempullit është mënyra më efektive për të ruajtur dhe përhapur trashëgiminë kulturore të Budizmit dhe arteve marciale kineze në një botë gjithnjë e më të globalizuar.

“Është e nevojshme që Shaolini të ecë me kohën,” ka deklaruar ai më herët, duke këmbëngulur se përfitimet financiare ndihmojnë në mirëmbajtjen e tempullit dhe zhvillimin e projekteve shpirtërore, kulturore e arsimore. Por përballë akuzave të fundit për korrupsion dhe shkelje të rënda morale, këto justifikime po zbehen në sytë e opinionit publik dhe ndjekësve të budizmit tradicional.

Në kulmin e projektit për ta kthyer Shaolinin në një markë globale, abati Shi Yongxin nuk e fshehu aspak vizionin e tij: në vitin 2015, ai firmosi një çek prej 3 milionë dollarësh për të ndërtuar një degë të tempullit në një qytet australian. I pyetur nga agjencia shtetërore Xinhua mbi këtë veprim, ai u përgjigj me një krahasim provokues: “Nëse Kina mund të importojë resorte të Disney-t, pse vendet e tjera të mos importojnë Tempullin Shaolin?”

“Promovimi kulturor është një ndërmarrje me dinjitet,” shtoi ai, duke e paraqitur misionin e tij si një përpjekje fisnike për ta shpërndarë kulturën kineze në mbarë botën.

Por pikërisht në atë vit, ky imazh nisi të shpërbëhej publikisht. Një person që u identifikua si “njohës i brendshëm i Shaolinit” publikoi në rrjetet sociale kineze një sërë akuzash bombastike kundër abatit, duke e portretizuar atë si një përvetësues fondesh dhe grumbullues marrëdhëniesh të fshehta, me fëmijë të paligjshëm. Edhe pse atëherë këto akuza u shpërfillën nga autoritetet, hetimi aktual duket se po i risjell në vëmendje me një peshë të re dhe pasoja të mundshme fatale për reputacionin e tij.