FLASH :

Skandal në SHBA: Punonjësit e urgjencës tallin pacientët në TikTok , shkarkohen menjëherë!

Një grup punonjësish të një klinike urgjence në Kaliforni janë shkarkuar nga puna, pasi publikuan një video tallëse në TikTok, ku ironizonin pacientët dhe gjendjen e tyre shëndetësore. 

Pamjet, të bëra virale brenda pak orësh, tregonin stafin e Sansum Clinic në Santa Barbara duke pozuar dhe qeshur me lëngje trupore të lëna në dhomat e ekzaminimit. Në një prej fotove, shtatë punonjës në uniformë shfaqen me tekstin: “A lejohet që pacientët t’ju lënë dhurata?”. 

Në slajdet e tjera, ata shiheshin duke treguar me gisht njollat mbi tavolinat e ekzaminimit dhe një grua duke nxjerrë gjuhën mbi një shenjë në karrige. Videoja mbyllej me një grup prej gjashtë personash rreth një tavoline, disa në pozicion lutjeje, me mbishkrimin ironik: “Mos harroni t’i lini dhurata të ëmbla punonjësve të shëndetësisë”. 

Reagime të ashpra dhe shkarkime të menjëhershme 

Pamjet shkaktuan reagime të forta nga komuniteti dhe pacientët, të cilët e quajtën veprimin “çnjerëzor, joetik dhe fëmijëror”. Në platformën Reddit dhe në Yelp, klinika u përmbyt me komente dhe vlerësime një-yllëshe. “Nëse këto publikojnë hapur, imagjinoni çfarë ndodh privatisht”, shkroi një përdorues. Një tjetër komentoi: “Nuk i besoj më profesionalizmit të tyre. Këta njerëz janë pa shpirt dhe pa zemër”. 

Vetë klinika, e cila e promovon veten si “organizata më e madhe jofitimprurëse e kujdesit shëndetësor ndërmjet Los Anxhelosit dhe San Franciskos”, u përball me një krizë reputacioni. 

Reagimi i Sutter Health 

Menaxhuesi i klinikës, Sutter Health, konfirmoi se ka shkarkuar menjëherë punonjësit e përfshirë. 
Në një deklaratë publike thuhej: 

“Sutter Health ka pezulluar dhe më pas ka shkarkuar punonjësit përgjegjës për fotot e papërshtatshme dhe të pandjeshme të postuara në rrjetet sociale. Ky sjellje është një shkelje flagrante e politikave tona dhe një mungesë respekti ndaj pacientëve, që nuk do të tolerohet.” 

Grupi shtoi se “ruajtja e besimit të pacientëve është prioriteti më i lartë” dhe se ky rast do të shërbejë për të forcuar politikat e brendshme dhe për të rikujtuar standardet e etikës dhe profesionalizmit në të gjithë organizatën.