Një ngjarje absurde por serioze ka ndodhur në Uashington D.C., ku një punonjës i Departamentit Amerikan të Drejtësisë (DOJ) është arrestuar për sulm ndaj një agjenti federal, duke i hedhur një sanduiç Subway gjatë një proteste kundër vendosjes së trupave federale në qytet.
Sean Charles Dunn, ish-avokat në Zyrën për Çështje Ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, është shkarkuar nga detyra menjëherë pas publikimit të videos së incidentit dhe po përballet me akuza për sulm penal të shkallës së lartë (felony assault).
“E hodha sanduiçin – ishte veprim i ndërgjegjshëm” – Pranon fajin pas arrestimit
Incidenti ndodhi të dielën, kur Dunn i hodhi një sanduiç “submarine-style” në kraharorin e një oficeri të Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP), ndërsa ky i fundit ishte vendosur në terren si pjesë e operacionit të urdhëruar nga Presidenti Donald Trump, që synon të “luftojë krimin dhe të largojë maniakët e droguar dhe të pastrehët”, siç është shprehur ai.
Në video, Dunn dëgjohet duke u bërtitur agjentëve:
“Pse jeni këtu? Nuk ju dua në qytetin tim!”
Më pas i afrohet një oficeri të pajisur me jelek antiplumb dhe i përplas sanduiçin në gjoks, përpara se të largohet me vrap. Ai u arrestua të mërkurën dhe më pas pranoi veprimin përpara hetuesve:
“E bëra. E hodha sanduiçin.”Nga humori në internet, te pasojat penale – përballet me deri në 8 vite burg
Edhe pse ngjarja u bë virale në rrjet me komente ironike si:
“Assault with a deli weapon”, ajo ka pasoja serioze ligjore për Dunn, i cili mund të dënohet deri në tetë vite burgim nëse shpallet fajtor.
Fillimisht një gjykatës lokal refuzoi ta ndjekë penalisht, por një gjykatës federal autorizoi ngritjen e akuzave për sulm, sipas CBS News. Dunn aktualisht është i liruar me kusht.
Protesta, tension dhe kontroll federal në D.C.
Incidenti vjen në një moment të shtimit të pranisë së agjentëve federalë në Uashington D.C., përfshirë forca nga FBI, Marshals, ATF, DHS dhe Secret Service, si dhe trupa të Gardës Kombëtare. Deri tani, rreth 100 persona janë arrestuar që nga ardhja e këtyre forcave.
Kjo lëvizje e administratës Trump ka shkaktuar zemërim të madh në një qytet kryesisht demokrat, që nuk ka përfaqësim të plotë në Kongres dhe është vendosur nën kontrollin e drejtpërdrejtë federal, duke përdorur Ligjin për Vetëqeverisjen e D.C. të vitit 1973.
Prokurorja amerikane Jeanine Pirro, e cila shpalli arrestimin e Dunn përmes një videoje, deklaroi:
“Ai mendonte se ishte qesharake. Tani nuk i duket më qesharake, sepse po përballet me një akuzë për krim të rëndë. Pra, le ta fusë sanduiçin e vet diku tjetër!”