Texas, 27 Gusht 2025 – Një video e publikuar nga kandidatja republikane për Kongresin në Texas, Valentina Gomez, ka ndezur polemika të forta në opinionin publik amerikan dhe ndërkombëtar.
Në një mesazh të transmetuar si pjesë e fushatës së saj, Gomez shfaqet duke djegur një kopje të Kuranit, ndërsa deklaron:
“Amerika është një komb kristian. Myslimanët mund të shkojnë në cilindo nga 57 shtetet myslimane.”
Ky akt dhe deklaratat e saj janë cilësuar si një formë e hapur retorike urrejtjeje dhe islamofobie, që shkel parimet e lirisë fetare në SHBA.
Video ka sjellë reagime të ashpra nga organizatat që mbrojnë të drejtat e myslimanëve, të cilat e kanë cilësuar si provokim të qëllimshëm dhe një sulm ndaj komunitetit mysliman amerikan.
Edhe liderë politikë nga krahë të ndryshëm kanë shprehur shqetësimin, duke paralajmëruar se akte të tilla rrezikojnë të nxisin përçarje dhe dhunë.
Fushata e Gomez është pjesë e një vale kandidatësh republikanë që po përdorin gjuhë nacionaliste dhe retorikë radikale për të fituar mbështetje nga votuesit konservatorë. Rasti i saj vjen në një kohë kur debati mbi lirinë fetare dhe diskriminimin është shumë i ndezur në politikën amerikane.







