Një punonjës policie në Elbasan është vënë në pranga në kuadër të operacionit “Last Rent”, i zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. Nënkomisari E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Seksionin e Narkotikëve pranë DVP Elbasan, dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Sipas hetimeve të kryera me metoda speciale, punonjësi i policisë rezulton të ketë ushtruar aktivitet të paligjshëm të fajdes, duke i dhënë hua persona të ndryshëm dhe më pas duke i detyruar me dhunë ose kërcënim të shlyenin borxhet me interesa të larta. Një rast i dokumentuar tregon se ai i kishte dhënë 10 mijë euro një qytetari dhe kërkonte likuidim mujor prej 2 mijë eurosh, ndërkohë që i kishte sekuestruar edhe automjetet.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 5 automjete të vitprodhimeve të fundit, në pronësi të personave të ndryshëm, të cilët dyshohet se janë viktima të kësaj skeme. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nxit qytetarët të denoncojnë raste të ngjashme përmes linjave të dedikuara të kontaktit.







