FLASH :

Skandal në Karolinën e Veriut: Policia bastis funeralin për të arrestuar një vrasës, por kapin njeriun e gabuar

Një ceremoni lamtumireje u kthye në skenë kaosi dhe indinjate në Karolinën e Veriut, kur oficerët e Zyrës së Sherifit të qarkut Lee bastisën një funeral duke arrestuar gabimisht një njeri të pafajshëm, përpara familjarëve të tronditur.

Familjarë dhe miq ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën Kabem Smith, një baba i dashur dhe anëtar i respektuar i komunitetit, kur papritur u përballën me një operacion policor që synonte të zgjidhte një çështje të pazbardhur prej 30 vitesh.

Por “i dyshuari” që u ndalua nuk ishte tjetër veçse vëllai i Kabem, një njeri i pafajshëm që kishte ardhur për të marrë pjesë në funeralin e të afërmit të tij.

“Ishte gjëja më e pabesueshme që kam parë ndonjëherë,” u shpreh miku i familjes, Bryant McKinney, për mediat lokale WRAL.

Burri që u ndalua ngjasonte shumë me Willard Eugene Smith, një i dyshuar për vrasjen e Rodney Cotten në vitin 1995, i cili ndodhet në arrati prej dekadash.

Deputetët e Lee County vepruan mbi bazën e një informacioni se i dyshuari mund të paraqitej në funeral duke përdorur një nga emrat e tij të rremë “Willard Partridge” i cili figuron në nekrologji si një prej vëllezërve të mbijetuar të Kabem Smith.

“Në bazë të informacionit të marrë nga disa burime të ndara mbi një vrasje të ndodhur në zonën e Moncure në vitin 1995, oficerët e Lee County ndërhynë në një funeral në qarkun Chatham ku mendohej se ndodhej i dyshuari Willard Eugene Smith,” thuhet në deklaratën zyrtare të Zyrës së Sherifit.

“Për afro 30 vjet, ka pasur sinjalizime se Willard Smith përdorte disa emra të rremë, përfshirë emra të anëtarëve të familjes, mes tyre edhe ‘Willard Partridge’. Po ashtu, kishte informacione se ai ishte kthyer më parë në zonë për të vizituar familjen.”

Duke besuar se ishte një rast i rrallë për ta arrestuar, policia ndërhyri me forcë – gjë që shkaktoi zemërim të menjëhershëm mes të pranishmëve.

Ndërsa oficerët po përpiqeshin ta fusnin burrin në makinën e policisë, familjarët e të ndjerit shpërthyen në britma, fyerje dhe madje kërcënuan se do ta padisnin departamentin.

“Do të mbledhim gjithë lekët dhe do t’ju çojmë në gjyq!” dëgjohet një grua që thërret në një video të postuar në Facebook nga vendngjarja.

Sipas policisë, një numër i madh pjesëmarrësish u përpoqën të bllokonin automjetet e oficerëve, duke goditur kapakët e makinave dhe duke i lëkundur ato, ndërsa të tjerë përdorën makina për të bllokuar rrugën e daljes.

Pas tetë orësh ndalimi, njeriu i arrestuar u lirua pa akuza pasi u konstatua se nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e vitit 1995.

Sherifi Brian Estes mbrojti ndërhyrjen, duke thënë se ishte hera e parë që kishin një vendndodhje konkrete të të dyshuarit dhe ndjenë detyrimin për të vepruar. Ai pranoi se koha e ndërhyrjes “nuk ishte ideale”, por theksoi se kishin një rast të rrallë për të zgjidhur një çështje që kishte rënduar mbi komunitetin për tre dekada.

“Nuk duam të ofendojmë askënd apo të prishim një moment të shenjtë, por ndjemë detyrimin ta verifikonim këtë pistë,” tha Estes.

Pas incidentit, zyra e sherifit tha se po rishikon procedurat për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla. Por për familjen Smith, dëmi tashmë është bërë.

“Në vend që të ishte një moment i shenjtë dhe solemn lamtumire për birin, vëllain, kushëririn, mikun dhe babanë tonë të dashur, ceremonia u dhunua nga një veprim i egër dhe i pajustifikuar nga Njësia e Narkotikëve e Zyrës së Sherifit të Lee County,” thuhet në një deklaratë të familjes në Facebook.

“Bazuar në një informacion të rremë, oficerë të armatosur bastisën varrimin tonë privat, kërcënuan të afërmit e pikëlluar përfshirë të moshuar e fëmijë me armë të drejtuara dhe gaz lotsjellës. Ky përdorim i tepruar force ndaj pjesëmarrësve të paarmatosur jo vetëm që shkatërroi ritualin e fundit të njeriut tonë të dashur, por shkaktoi trauma të thella emocionale në një familje që tashmë po kalonte dhimbje të madhe.”

Autoritetet kanë ofruar një shpërblim prej 10 mijë dollarësh për çdo informacion që çon në arrestimin e Willard Eugene Smith, raportoi WRAL.