FLASH:

Skandal në hetimet për Jay Slater: Dëshmitarja kyçe pushon në Tenerife, policia thotë ‘nuk e gjejmë’

Lucy Law, 20 vjeç, një nga personat e fundit që pa Jay-n gjallë, ishte shpallur e pagjurmë nga autoritetet, të cilët informuan gjykatën gjatë hapjes së hetimeve se ajo dhe dëshmitarë të tjerë nuk ishin arritur të kontaktoheshin. Megjithatë, familjarët e Lucy-t konfirmuan se ajo ndodhej në pushime dhe nuk kishte dijeni që ishte kërkuar të dëshmonte.

“Policia erdhi sot për herë të parë dhe na tha se Lucy duhet të ishte në gjykatë. Nuk kishim asnjë dijeni më parë,” tha Andy Davis, njerku i saj.

Zbulohet gjithashtu se dëshmitarë të tjerë “të pakontaktueshëm” janë në fakt në Greqi, gjë që ngre pikëpyetje mbi efikasitetin e hetimeve. “Nëse familjarët tanë mund t’i gjejnë këta njerëz, pse nuk mundet policia?” tha një burim pranë familjes Slater.

Ndërkohë, hetimi zbuloi se Jay kishte konsumuar substanca si kokainë, ekstazi dhe ketaminë. Një nga dëshmitarët, Joshua Forshaw, konfirmoi se Slater ishte “jashtë kontrollit nga droga” natën e fundit, dhe se kishte komunikuar përmes Snapchat se po përpiqej të shiste një orë luksoze “AP” për 10 mijë paund. Ai kishte dërguar edhe një foto me dy thika në brez, duke shkruar: “I mbaj në rast se ndodh ndonjë gjë”.

Pas zhdukjes, trupi i tij u gjet pas një muaji në një zonë malore të Tenerife-s. Ekspertët përjashtuan shenja dhune, duke konkluduar se vdekja ishte pasojë e rënies nga lartësi. Sipas raportit, Jay kishte lëndime fatale në kafkë dhe legen dhe kishte humbur ndjenjat menjëherë.

Zbulimet mbi dështimin për të thirrur dëshmitarët, gabimet në trajtimin e provave si fshirja aksidentale e mesazheve nga policia dhe mungesa e përgjigjeve nga personat kyç që ndodheshin në vendngjarje, po e minojnë më tej besueshmërinë e hetimit.

Familja e Jay-t, e pranishme në sallë, kërkon përgjigje të qarta, ndërsa babai i tij u shpreh: “Dy njerëzit që mund të hedhin dritë mbi çfarë ndodhi me Jay nuk janë në gjykatë.”

Në fund, policia britanike theksoi se nuk kishte gjetur asnjë provë që Jay të ishte nën kërcënim apo i detyruar nga dikush për veprimet e tij. Megjithatë, mbeten shumë të panjohura rreth orëve të fundit të jetës së tij.