Policia e Durrësit ka goditur një rrjet të organizuar prostitucioni në zonën e plazhit, ku u zbulua një vilë dykatëshe e përshtatur për shfrytëzim seksual. Si pasojë, katër shtetase kineze, mes tyre edhe njëra nga organizatoret e kësaj veprimtarie të paligjshme, kanë rënë në pranga.
Një tjetër organizatore, shtetase angleze, është shpallur në kërkim, ndërsa 10 persona të tjerë, përfshirë dy gra kineze dhe tetë shqiptarë, do të hetohen në gjendje të lirë. Sipas burimeve zyrtare, vila ndodhej në lagjen nr. 13 të qytetit bregdetar dhe ishte marrë me qira nga një 46-vjeçare angleze me inicialet K. P. dhe një shtetase kineze F. W.
Gjatë kontrollit në ambient, policia sekuestroi 6 pasaporta të shtetaseve kineze, para në euro dhe dollarë, karta banke dhe telefoni. Hetimet kanë zbuluar se pas kësaj skeme fshihet një rrjet ndërkombëtar, që dyshohet se drejtonte gjithçka përmes një call center-i jashtë Shqipërisë, duke rekrutuar klientë dhe koordinuar aktivitetin përmes telefonatave.
Ngjarja ngre alarmin për shtrirjen e rrjeteve ndërkombëtare të trafikimit dhe shfrytëzimit seksual në territorin shqiptar, veçanërisht në zonat turistike si Durrësi. Autoritetet kanë njoftuar se hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe lidhjet ndërkombëtare të këtij rrjeti.
Njoftimi i policisë
“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, pas një hetimi dyjavor me metoda proaktive për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni” dhe “Përshtatatja e ambienteve për prostitucion”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës dhe me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në drejtimin e Prokurorisë, finalizoi operacionin e koduar “Storm 4”.
Si rezultat i këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, u bë arrestimi i shtetases kineze F. W., 46 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, e cila dyshohet se ishte drejtuese e dhe organizatore e këtij rrjeti prostitucioni.
Gjithashtu u arrestuan 3 shtetase të tjera kineze L. M., 55 vjeçe, L. Ch., 49 vjeçe dhe Zh. H., 47 vjeçe, për veprën penale “Prostitucioni”. Në kuadër të operacionit, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, 2 shtetase kineze dhe 8 shtetas shqiptarë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasja K. P., 46 vjeçe, banuese në Mbretërinë e Bashkuar, e dyshuar për veprën penale “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 pasaporta të shtetaseve kineze, shuma parash në euro dhe dollarë, disa karta banke dhe karta telefoni etj.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi rezultoi se shtetaset kineze kishin përshtatur një vilë dykatëshe, të marrë me qira, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, nga shtetasja angleze, në bashkëpunim me 46-vjeçaren kineze dhe e kishin përshtatur me qëllim ushtrimin e prostitucionit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet pasi dyshohet se ka shtetas të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari që dyshohet se qendrën e ka jashtë vendit, nga ku kryheshin telefonatat nëpërmjet call centerit”, informoi sot policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.







