Dy punonjëse të një çerdheje private në Londrën Perëndimore janë dënuar për abuzim të tmerrshëm ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, pasi u kapën nga kamerat e sigurisë duke i goditur dhe poshtëruar ata, përpara se të tentonin të fshijnë pamjet filmike për të mbuluar gjurmët. Anbreen Tariq, 45 vjeçe, dhe Salima Fajal, 40, u shpallën fajtore për veprat penale të keqtrajtimit të fëmijëve në një institucion ku prindërit paguanin deri në 2,000 paund në muaj për kujdes të specializuar ndaj fëmijëve.
Pamjet tronditëse treguan momentin kur Fajal, nënë e katër fëmijëve, e ngriti me forcë në ajër një vajzë 3-vjeçare, përpara se ta godiste dy herë në fytyrë. Kur prindërit u lajmëruan për një gjakderdhje në hundë, gjetën vajzën me sy të nxirë dhe shenja dhune në fytyrë. Ndërkohë, kolegia e saj, Tariq, u filmua duke goditur një djalë autik me një celular në kokë dhe më pas duke e qëlluar me shkelm në shpinë, ndërsa ai qante i shtrirë në tokë. Pamjet shokuan të pranishmit në gjykatë, ndërsa të dyja gratë qëndruan pa emocione në bankën e të akuzuarve.
Fajal tentoi të justifikohej duke thënë se vajzën e kishte goditur sepse po mbytej, ndërsa më vonë u kthye në çerdhe për të shkatërruar hard diskun e kamerave të sigurisë. Ajo dhe Tariq akuzuan njëra-tjetrën dhe përpiqeshin të përdornin pjesë të pamjeve si mjet shantazhi. Gjatë seancës, u lexuan edhe dëshmi rrëqethëse nga prindërit e fëmijëve të dhunuar, të cilët përshkruan pasojat e rënda psikologjike dhe emocionale tek fëmijët e tyre, të cilët pas ngjarjes vuajnë nga ankthi, frika ndaj mjediseve shkollore dhe dëmtimi i besimit tek institucionet.


Gjykatësja Annabel Darlow e cilësoi dhunën si “të ftohtë, të pashpirt dhe krejtësisht të pajustifikueshme”, duke theksuar se fëmijët ishin të pambrojtur dhe të pafajshëm, dhe ishin besuar në kujdesin e dy grave që u kthyen në abuzuese. Tariq u dënua me 12 muaj burg, ndërsa Fajal mori 18 muaj me kusht dhe detyrim rehabilitimi, si dhe urdhër për të paguar 1,000 paund dëmshpërblim dhe 1,630 paund kosto gjyqësore. Ngjarja ka shkaktuar indinjatë të madhe në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime serioze mbi standardet e mbikëqyrjes në institucionet për fëmijët me nevoja të veçanta në Britani.

