FLASH :

Skandal në Brazil: Dimitri Payet largohet nga Vasko da Gama pas akuzave për dhunë dhe histori të bujshme jashtë fushe

Ish-ylli i kombëtares franceze, Dimitri Payet, ka përfunduar në qendër të një skandali në Brazil, ku po mbyll parakohshëm kontratën me klubin Vasco da Gama. Mesfushori 37-vjeçar, i njohur për paraqitjet e tij me Francën në Euro 2016, po përballet me akuza për dhunë fizike dhe psikologjike ndaj një gruaje me të cilën kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore.

Sipas mediave braziliane, Payet ka pranuar në gjykatë se kishte tradhtuar bashkëshorten e tij me avokaten Larissa Ferrari, por ka mohuar kategorikisht se ka ushtruar dhunë ndaj saj. Ndërkohë, Ferrari ka dorëzuar prova dhe pretendon se është dhunuar gjatë lidhjes së tyre, duke çuar në nisjen e një hetimi penal.

Klubi brazilian ka njoftuar për prishjen e kontratës me marrëveshje, ndërsa futbollisti pritet të kthehet në Francë. Skandali ka dominuar mediat sportive dhe ato të showbiz-it në Brazil, duke i dhënë fund një periudhe jo fort pozitive të karrierës së Payet jashtë Europës.

Autoritetet braziliane janë ende duke shqyrtuar rastin, ndërsa vetë futbollisti ka dhënë dëshminë e tij zyrtare para gjykatës në Rio de Janeiro.