Në një kohë kur qindra pensionistë detyrohen të presin me orë të tëra në temperatura përvëluese për të përfituar një abone falas, Bashkia e Tiranës është përfshirë në një tjetër skandal luksi. Vetëm pak javë më parë, Kryetarja e Komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, hapi një tender me vlerë 465 mijë euro për rimobilimin e zyrës së saj. Tenderi në fjalë u anulua nga Komisioni i Prokurimit Publik, pasi kriteret ishin cilësuar si të qepura me porosi për një kompani të caktuar, në shkelje të hapur të ligjit të konkurrencës së ndershme.
Ndërkohë, qytetarët e thjeshtë dhe taksapaguesit janë ata që po mbajnë mbi supe faturën e luksit të institucionit vendor. Organizata Qëndresa Qytetare ka reaguar ashpër ndaj kësaj situate, duke denoncuar publikisht pritjet e gjata të pensionistëve në kushte të papërshtatshme për të marrë abonenë e transportit publik, të cilën, sipas nismës, e kanë falas. Sipas Qëndresës, “edhe kur ndërmerret një nismë pozitive, mënyra sesi ajo zbatohet e zhbën tërësisht qëllimin e saj”. Pamjet e të moshuarve që presin në radhë për orë të tëra janë një pasqyrim i dështimit organizativ të Bashkisë.
Qëndresa Qytetare i bën thirrje Bashkisë së Tiranës që të ndryshojë menjëherë mënyrën e shpërndarjes së aboneve, duke propozuar që ato të jepen në zyrat postare ku pensionistët marrin pensionin mujor, thjesht duke paraqitur librezen e pensionit si dokument identifikimi. “Kjo sjellje ndaj moshës së tretë është e papranueshme dhe Bashkia duhet të hartojë urgjentisht një strategji të re”, theksohet në reagimin e tyre.
Ndërsa Bashkia duket se investon më shumë në rehatinë e zyrave sesa në mirëqenien e qytetarëve, ky kontrast i dhimbshëm mes luksit dhe mjerimit ngre pyetje serioze për prioritetet e drejtimit vendor.