Një email i publikuar së fundmi nga The Mail on Sunday ka tronditur opinionin publik dhe Familjen Mbretërore Britanike, duke ekspozuar gënjeshtrat e Sarah Ferguson, Dukeshës së Jorkut, mbi lidhjet e saj me Jeffrey Epstein.
Vetëm pak javë pasi kishte deklaruar publikisht se do të ndërpriste çdo kontakt me pedofilin e dënuar, dukesha i shkruante atij një mesazh privat, ku e përshkruante si një “mik të palëkundur, bujar dhe suprem”. Në të njëjtin email, ajo pranonte se ishte detyruar të fliste kundër Epstein vetëm për të mbrojtur karrierën e saj si autore librash për fëmijë.
Email-i, i dërguar më 26 prill 2011, bie ndesh me deklaratat e saj publike të 7 marsit të po atij viti, kur ajo u kishte thënë gazetarëve se “do të abhoronte çdo formë abuzimi” dhe se “nuk do të kishte më kurrë asgjë të bënte me Epstein-in”. Po atë muaj, mediat zbuluan se ai kishte shlyer 15 mijë paund të borxheve të saj, gjë që shkaktoi presion të madh mbi familjen mbretërore.
Në një email tjetër, më 22 janar 2011, ajo e falënderonte Epstein për ndihmën financiare duke i shkruar: “Ti je një mik i vërtetë dhe një ditë do ta kthej mbrapsht. Zemra ime të përket ty.”
Ky zbulim ka ndezur kritika të ashpra ndaj Dukeshës, duke ngritur dyshime mbi besueshmërinë e saj si autore dhe si figurë publike e lidhur me bamirësitë për fëmijët. Autori mbretëror Andrew Lownie e quajti gjuhën e përdorur në email “dyfytyrëshe dhe dëmtuese”, duke shtuar se ky skandal mund të rrisë presionin mbi Mbretin Charles dhe Princin William për të larguar përfundimisht Dukën dhe Dukeshën e Jorkut nga jeta publike.
Një zëdhënës i Ferguson tha se ajo kishte vepruar nën kërcënimin e një padie nga Epstein dhe ishte këshilluar të përpiqej ta “qetësonte” atë. Megjithatë, skandali i ri shihet si një tjetër goditje për imazhin tashmë të dëmtuar të familjes mbretërore britanike.