FLASH :

Video/Ky super skaf u vodh në Korfuz dhe u trafikua në Sarandë – ja ku u gjet

Policia e Sarandës ka finalizuar me sukses një operacion të koduar “Silent Crossing”, duke dokumentuar një rast të trafikut të paligjshëm të mjeteve lundruese nga Greqia drejt Shqipërisë. Pas kallëzimit të bërë nga një shtetas grek për vjedhjen e dy mjeteve (një gomone dhe një skaf) në Korfuz, autoritetet shqiptare ndërhynë me kontrolle dhe hetime të shpejta.

Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi D.D., 23 vjeç nga fshati Gjashtë, ndërsa tre shtetas të tjerë – D.J. (48), A.J. (24) nga Saranda dhe A.K. (48) nga Tepelena – janë shpallur në kërkim. Hetimet zbuluan se këta persona dyshohet se kanë trafikuar mjetet e vjedhura nga Greqia në territorin shqiptar.

Gjatë operacionit, një prej mjeteve lundruese u gjet i fshehur në një parcelë në fshatin Vrion, Finiq, bashkë me një kamion të dyshuar si mjet transportues. Të dyja u sekuestruan në cilësinë e provave materiale. Hetimet vijojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari kriminale ndërkufitare.