Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën në Itali si pasojë e një vale përvëluese të të nxehtit që ka përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit, raportojnë autoritetet italiane.
Temperaturat ekstreme kanë detyruar qeverinë të marrë masa urgjente për të përballuar krizën shëndetësore dhe sociale.
Ministri i Shëndetësisë, Orazio Schillaci, njoftoi se prej datës 4 korrik 2025, është vënë në funksion një “dhomë kontrolli” qeveritare, që do të koordinojë përgjigjen ndaj emergjencës. Kjo strukturë do të menaxhohet në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes Shëndetësore, Mbrojtjen Civile, autoritetet rajonale të Lazios dhe agjencinë INAIL.
Sipas agjencisë ANSA, 20 qytete janë në alarm të kuq për shkak të rreziqeve të drejtpërdrejta ndaj shëndetit publik. Ky nivel nënkupton se nxehtësia përbën kërcënim jo vetëm për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, por edhe për popullatën e shëndetshme.
Qytetet e prekura përfshijnë: Ancona, Bologna, Bolzano, Brescia, Campobasso, Firence, Frosinone, Genova, Latina, Milano, Palermo, Perugia, Pescara, Rieti, Roma, Torino, Trieste, Venecia, Verona dhe Viterbo.
Ndërkohë, Ministria e Punës ka firmosur një protokoll të posaçëm me sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve, i cili ndalon punën në ambiente të jashtme gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Protokolli do të zbatohet përmes një dekreti emergjent, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe problemeve shëndetësore të lidhura me valën e të nxehtit.
Sipas parashikimeve, fundjava pritet të sjellë një rënie të temperaturave për shkak të stuhive verore.