Takimi i zhvilluar më 19 gusht në Paris mes ministrit të Jashtëm sirian, Assaad el-Chaibani, dhe ministrit izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe synon uljen e tensioneve në jug të Sirisë
Pas më shumë se dy dekadash, Siria konfirmon kontaktet me Izraelin për herë të parë, duke shënuar një moment të rëndësishëm diplomatik në rajon.
Takimi i zhvilluar më 19 gusht në Paris mes ministrit të Jashtëm sirian, Assaad el-Chaibani, dhe ministrit izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, u ndërmjetësua nga Shtetet e Bashkuara dhe synon uljen e tensioneve në jug të Sirisë, informon gazeta prestigjioze amerikane “NYT”.
Ky është kontakti i parë i njohur zyrtarisht nga pala siriane, megjithëse diskutime joformale janë mbajtur edhe më herët në qytete si Baku, Abu Dhabi dhe vetë Parisi.
“Fokus kryesor i bisedimeve ishte ruajtja e sovranitetit të Sirisë dhe mosndërhyrja në punët e brendshme, në kontekstin e trazirave të fundit në provincën jugore të Soueida, ku përleshjet midis komunitetit druz dhe autoriteteve kanë lënë rreth 1,000 të vdekur”, informon media në fjalë.
Në takim mori pjesë edhe sheiku druz izraelit, Muëaffaq Tarif, i cili më herët kishte kërkuar ndërhyrje nga Izraeli për të ndalur përshkallëzimin e dhunës.
Lëvizja shihet si përpjekje e Damaskut për të rifituar stabilitetin në jug të vendit dhe për të ulur perceptimin e Izraelit si armik ideologjik. Ndërkohë, vëzhguesit paralajmërojnë se pavarësisht kësaj qasjeje të re, çështja e Golanit të pushtuar mbetet një pengesë madhore në çdo përpjekje për normalizim të plotë.