Sir Elton John është përfshirë si paqebërës në përplasjen e gjatë familjare mes Brooklyn Beckham dhe prindërve të tij, David dhe Victoria Beckham. Legjenda e muzikës, mik i ngushtë i çiftit Beckham prej më shumë se 30 vitesh dhe kumbari i Brooklyn, ftoi të riun dhe bashkëshorten e tij Nicola Peltz për një drekë luksoze në beach club-in prestigjioz “La Guerite” në jug të Francës.
Sipas burimeve për The Sun, gjatë takimit, Elton foli shkurtimisht për konfliktin dhe i sugjeroi Brooklynit që të pajtohej me familjen. “Elton është si Zvicra e botës së showbiz-it, nuk merr anë, por do që të gjithë të jenë të lumtur”, tha një burim, duke shtuar se këngëtari i famshëm i këshilloi të gjithë të përfshirët se “jeta është e shkurtër”.
Dreka u pasua nga një sërë postimesh në rrjete sociale ku Brooklyn dhe Nicola shfaqen të buzëqeshur pranë Eltonit dhe bashkëshortit të tij David Furnish. Nicola i bëri një homazh Eltonit edhe në Instagram, duke publikuar një video intime në vaskë nën tingujt e këngës së tij “Cold Heart”.
Kjo përpjekje për paqe vjen mes përshkallëzimit të tensioneve në familjen Beckham. Brooklyn dhe Nicola nuk ndjekin më vëllezërit Romeo dhe Cruz në Instagram, ndërsa janë përjashtuar nga dokumentari i ri i Victorias për Netflix. Pavarësisht kësaj, Brooklyn i bëri një dedikim të veçantë motrës Harper për ditëlindje, në një nga kontaktet e rralla publike me familjen. Ndërkohë, burime pranë prindërve pohojnë se kontaktet me çiftin janë pothuajse të ndërprera.












