Pak kohë më parë kemi raportuar për përpjekjet më të reja në fushën e inteligjencës artificiale të ish-CTO dhe ish-CEO të OpenAI, Mira Murati, të cilat do të finalizohen nëpërmjet projektit të quajtur “Thinking Machines Lab”.
Murati beson se ka një hendek serioz midis AI që avancohet me shpejtësi dhe të kuptuarit e teknologjisë nga publiku. Thinking Machines Lab planifikon ta plotësojë këtë boshllëk duke siguruar aksesueshmërinë që në fillim. Në themel të kësaj strategjie qëndron besimi i Muratit se ne jemi ende në fazat e hershme të AI dhe konkurrenca nuk është ende e mbyllur.
Me sa duket ky startup ka tërhequr vëmendjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në Shqipëri, e cila ka depozituar një kërkesë pranë Ministrisë së Financave për të financuar me $10 milionë startup-in e ri të Mira Muratit.

“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin. Ai ofron përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe kërkimin e avancuar”, tha Ministria e Financave në një letër drejtuar KQZ, ku kërkon të informohet më tepër rreth këtij investimi për shkak të zgjedhjeve që do të organizohen më 11 maj.
Gjithashtu Ministria e Financave argumenton se ky do të ishte një veprim mjaft “inteligjent”, pasi mund të rezultojë “një investim me leverdi”.